Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 19:00

Tiranë – Teknologjia dhe interneti, ashtu siç shpesh në shumë fusha kanë lehtësuar punën e njerëzve, kësaj here, falë tyre, do të jetë më e lehtë të marrësh informacion në Mozaikun e Tiranës.

Mjafton një aparat celular smart phone dhe interneti që të zëvendësohet Cicëroni që shpërndante më parë informacion për historikun e Mozaikut. Aparati celular arrin të shkarkojë falas përmes internetit aplikimin QR-Reader. Mjafton një skanim me telefon mbi barkodin që do të mbajë monumenti, dhe automatikisht përmes internetit del e gjithë historia e sitit ku vizitori ndodhet.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Arbër Kadia në një prononcim për mediat u shpreh se teknologjia do të jetë më efikase jashtë Tiranës, ku nuk ka guida të organizuar.

“Qëllimi i këtij projekti është që jo vetëm të thyej barrierat me të rinjtë që sot njohin më shumë gjuhën e teknologjisë dhe komunikojnë përmes mjeteve të ndryshme mediatike, por edhe për zvogëlimin e kostove që kanë drejtori të ndryshme rajonale, apo muze, për botime, fletëpalosje me informacion”, tha Kadia.

Teknologjia e re është është integruar si fillim në Tiranë, falë bashkëpunimit të Drejtorisë Rajonale e Monumenteve të Kulturës me Zyrën e Promovimit të Turizmit pranë Bashkisë së Tiranës.

Kjo metodë është aplikuar në vendet më të zhvilluara europiane dhe ka si qëllim bërjen sa më atraktive të këtyre ambienteve turistëve. Fillimisht kjo formë promovimi do të aplikohet në Tiranë pasi edhe përdoruesit e “smart phone-ve” janë më të shumtë në numër.