Lajme Shqip Sunday, 07 October 2012 08:39

TIRANË –  Teatri i Metropolit ka shpallur sot kalendarin e aktiviteteve për sezonin e ri artistik.

Premierat e reja fillojnë në muajin nëntor. Vepra e autorit Haqif Mulliqi “Katër epoletat”, do të ngjitet premierë në skenën e Teatrit të Metropolit në datën 9 nëntor nga regjisori Ilirjan Gjini. “Katër epoletat” është një dramë surealiste, e cila trajton temën e vlerësmit dhe zhvlerësimit të momenteve diktatoriale të historisë si dhe personazheve pjesëmarrës të tyre. Në të interpretojnë Pjerin Vlashi dhe Ilirjan Gjini.

Në mes të muajit nëntor, publiku do të ketë mundësi të shikojë versionin skenik të filmit “14 vjeç dhëndër”. Komedia do të ngjitet për herë të parë në skenën e teatrit shqiptar me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në datën 17 nëntor. Regjisorja Elma Dorezi, ka ditë që ka nisur provat me aktorët, të cilët do të interpretojnë në këtë komedi brilante. Në ndryshim nga filmi, të cilin e njohim të gjithë regjisorja ka menduar që “14 vjeç dhëndër” ta mbaj një grotesk. Është bërë një adaptim i tekstit, i bazuar tek Çajupi me të njëjtët personazhe, por duke sjell skena dhe karaktere të ndryshëm dhe interesante. Gjatë javës së flamurit në skenën e Teatrit të Metropolit do të mbahet një mbrëmje e cila do të përfshijë të gjithë epokat e këtij 100 vjetori. Në mënyrë kronologjike të gjithë të pranishmit do të njihen me figurat dhe personazhet e caktuara të historisë, të cilët me kontributin e tyre kanë vënë një gur në formimin dhe jetëgjatësinë e shtetit shqiptar. Kjo “Mbrëmje Gala” është e ndërtuar mbi një  bosht artistik profesional, dhe do të vijë në formën e një muzikali, ku brenda do të përfshijë artistët më të mirë, qofshin këta aktorë, këngëtarë, akrobatë, balerinë, shoqëruar edhe nga Ansambli “Tirana” dhe Banda e Qytetit.

Ndërkohë sezoni i ri artistik në Teatrin e Metropolit do të çelet me komedinë “Endrra në papafingo”, e vënë në skenë nga regjisori Erion Isai sezonin e kaluar. Kjo vepër, është një shfaqje e një stili të veçantë, ku nuk kemi një grup statik personazhesh nga fillimi në fund. Janë 8 aktorë që veshin dhe zhveshin lëkura të shumë personazheve. Aktorët Natasha Sela, Kastriot Rramollari, Albana Sançolli, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Denis Kurushi, Olta Çali dhe Klesta Shero do të ringjiten për të sjellë komedinë në sallën “Shekspir” në datën 5 tetor.  Aktualisht është çelur një ekspozitë me veshje të shfaqjeve të ndryshme të vëna gjatë sezonit të kaluar në skenat e Teatrit të Metropolit. Janë aty veshje të Margarita Xhepës, të përdorura gjatë “Mbrëmjeve Poetike”, kushtuar autorëve më të njohur shqiptar, një risi që nisi në Teatrin e Metropolit gjatë këtij viti. Veshje të Yllka Mujos, Fatos Selës, Anila Bishës e Rozi Kostanit. Gjithashtu, në ekspozitë nuk mungojnë veshje të shfaqjes “Karnavalet e Korçës”, Nikollaqit, apo Olimbisë e Afrovitit. Nuk mungojnë veshje nga shfaqjet e ndryshme si “Shkopi magjik”, “Vitaminat”, “Në qytetin e kafshëve”, “Petriti dhe ujku” e “Pema e Çokollatave”. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për disa ditë me rradhë.(LajmeShqip.com)