Lajme Shqip Tuesday, 14 February 2012 20:30

Tiranë – Për të gjithë çiftet e dashuruara, sot ka një mundësi për të festuar ndryshe Shën Valentinin.

Për të apasionuarit e teatrit, Teatri Kombëtar i Komedisë do të shfaq sot shfaqjen “Letra dashurie” me regji të Kastriot Çipit. Aktorët Eni Jani dhe Neritan Liçaj do të kujtojnë magjinë që kanë letrat e shkruara me dorë në një kohë kur teknologjia e zhvilluar duket se e ka zbehur marrëdhënien në çift.

Personazhet ulen në tryeza dhe lexojnë letra, kartolina dhe pusulla që i kanë shkruar njëri-tjetrit për pothuaj 50 vjet. Ata flasin për shpresat, ambiciet, ëndrrat dhe zhgënjimet, fitoret dhe dështimet që kanë pasur në jetët e tyre të ndara. Kështu ata zbulojnë karakteret e tyre dhe historinë e përbashkët.

E nëse në TKK-në do të flitet për dashurinë përmes aktrimit, në Teatrin Kombëtar të Baletit një tjetër dashuri do të interpretohet për publikun mes baletit. Historia e pasionit të dashurisë me një fund tragjik, “Zhizel”, do të rrëfehet mbrëmjen e sotme në TKOB.

Drama e baletit, nën koreografinë e Agron Aliaj ka në qendër dashurinë e një vajzë të re 15 vjeçare që dashuron për herë të parë dhe që zhgënjehet sepse ai që hiqet si fshatar është në të vërtetë princ. Lufta e vilisave është e tillë që ata duan ta shkatërrojnë këtë dashuri dhe pas vdekjes, por forca e madhe e dashurisë bën që të triumfojë, megjithatë ajo është një hije rreth tij. Në role kryesore janë balerini shqiptar me famë botërore, që interpreton për teatrin shtetëror të Mynihut Marlon Dino dhe Greta Hushi.

Në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi do të shfaqet mbrëmjen e sotme një film kushtuar dashurisë. “Baciami Ancora” (Puthmë Akoma) i regjisores Gabriele Muccino, prodhim i vitit 2010.

Ndërsa Kinema Millennium që prej ditës së sotme do të fillojë projeksionin e një romance hollivudiane. Një histori e mirëfilltë dashurie, “The Vow” me regji nga Michael Sucsyka ka për protagonistë dy aktorë të sprovuar në romanca Rachell Mcadams dhe Channing Tatum. “The Vow” është bazuar në një histori të vërtetë. Filmi “The Vow” është konsideruar se ka të gjithë elementët e një historie dashurie, romance të përsosur për ditën e Shën Valentinit.

Club-et dhe pub-et e kryeqytetit, ashtu si çdo vit, pritet që të jenë të tejmbushur mbrëmjen e sotme, megjithatë kryeqyteti ofron mundësi argëtimi edhe për ata më romantikët dhe çiftet e apasionuar pas artit.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka anulluar aktivitetet festive kushtuar Shën Valentinit për shkak të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore në veri dhe veri-lindje të Shqipërisë.