Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 14:50

Topi takon një grup shkrimtarësh nga Shqipëria, Greqia e Kosova, anëtarë të klubeve letrare –
    
Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të martën me një grup shkrimtarësh nga Shqipëria, Greqia dhe Kosova, anëtarë të klubeve të ndryshme letrare, të kryesuar nga Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita”, Nase Jani.

Kryetari Jani tha se Klubi u krijua në vitin 2000 në Athinë si një kërkesë e kohës për të qenë të bashkuar në promovimin e veprave letrare-artistike të shkrimtarëve shqiptarë, në lëvrimin dhe përtëritjen e vlerave kulturore, me synim për të ruajtur identitetin tipik gjuhësor e zakonor të shqiptarëve e për t’i trashëguar këto vlera tek brezat e rinj.

Presidenti Topi nga ana e tij, duke vlerësuar promovimin e letërsisë shqipe kudo ku jetojnë bashkatdhetarët tanë, vuri në dukje në mënyrë të veçantë se “veprat letrare, por edhe ato historike, që jo vetëm janë të shkruara bukur artistikisht, por pasqyrojnë me vërtetësi e paanshmëri tematikat që trajtojnë, i rezistojnë të gjitha kohërave e mbeten pjesë e arkivës së artë të shqiptarëve e Shqipërisë”.

Kryetari i Shtetit shqiptar, pasi çmoi punën dhe përkushtimin e shkrimtarëve shqiptarë në botë, i siguroi ata për mbështetjen personale dhe institucionale në përmbushje të nismës së tyre fisnike për përhapjen e kulturës dhe letrave shqipe në të katër anët e globit.