Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 16:30

Tiranë – Gjuha kineze, e cila ka nisur të studiohet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, po shihet me interes nga studentët shqiptarë në kushtet e reja të politikës dhe ekonomisë globale.

Për mësimin e gjuhës së lashtë kineze u çel një seksion i veçantë në vitin 2009 me ndërmjetësimin e rektoratit të Universitetit të Tiranës dhe Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës në Tiranë.

Studentët e fakultetit të Gjuhëve të Huaja shprehen se e kanë përzgjedhur gjuhën kineze si gjuhë të dytë, sepse ju duket tërheqëse dhe se duke pasur parasysh që Kina është një komb i madh, me kulturë të lashtë, gjuha e saj meriton të studiohet.

Nga ana e saj Ambasada e Republikës Popullore të Kinës ka dhuruar për këtë fakultet libra, kompjutera, wi-fi, mjete didaktike dhe elektronike.

Interesin e studentëve për të mësuar gjuhën kineze e vënë në dukje edhe pedagogët, të cilët vlerësojnë se hapja e seksionit të gjuhës kineze është për t’u përshëndetur.

Sipas Rektorit të UT-së, Prof. Dr. Dhori Kule, Kina sot është një superfuqi botërore ekonomike dhe politike. Krahas aspektit kulturor që ka gjuha kineze, mësimi i saj nga studentët shqiptarë do t’u krijojë mundësi më të shumta në tregun botëror të punës.

Gjuha kineze është gjuha më e lashtë që vijon të flitet edhe sot, ndërkohë që në realitetin e sotëm botëror pas hapjes së Kinës në ekonomi, gjuha kineze po mësohet gjithnjë e më shumë nga studentë të huaj.

Përgjatë 20 viteve të reformave dhe hapjes së Kinës, i quajtur “vend i lashtë i civilizimit të Lindjes”, ekonomia e tij  është rritur me shpejtësi të madhe, potenciali shtetëror është shtuar nga dita në ditë. Sot Kina është ngritur në skenën botërore. Ndryshimet kolosale në këtë vend në zhvillim kanë tërhequr vëmendjen e vendeve të ndryshme të botës dhe kanë tërhequr biznesmenë të vendeve të ndryshme të rivalizojnë për mundësitë tregtare.

Me pranimin në Organizatën Botërore të Tregtisë, përballë botës dhe të ardhmes, Kina do të hapet më tej, do të zhvillojë shkëmbime dhe kontakte gjithnjë e më të ngushta dhe më të thella me vendet e botës. Pikërisht në këtë sfond, në mbarë botën është rritur interesi i mësimit të gjuhës kineze.