Lajme Shqip Tuesday, 22 March 2011 15:27

Durrës – Një mozaik me dialogë dhe këngë të përzgjedhura nga vepra teatrale “Opera për tre groshë” e dramaturgut Bertolt Brecht, u ngjit mbrëmjen e kaluar në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Trupa teatrale studentore, që mban emrin e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu, e mbështetur nga shoqata gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”, ka intepretuar historinë e Don Zhuanit bandit, që nuk kapet dot nga ligji, pasi ka mik për kokë kryepolicin e Londrës. Altin Llalla dhe Blerta Lesi përballuan me sukses rolet kryesore të veprës, nën drejtimin e regjisores Charlotte Siegerstetter.

Pjesa është përkthyer nga Ardian Klosi, ndërsa regjisorja Charlotte Siegerstetter ka drejtuar trupën e studentëve në përmbledhjen që ka marrë titullin “Piano bar për tre groshë”. Tastieristi Gentian Rushi, këngëtarja Olsa Papandili dhe interpretuesja në gjuhën gjermane, Sabina Roshi, sollën intervalet muzikore të shkruara nga kompozitori Kurt Weill.

Premiera e “Operës për tre groshë” u shfaq në Berlin më 31 gusht të vitit 1928. Ajo pushtoi shumë shpejt skenat e Gjermanisë dhe Evropës.

Shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schvartz” në 5 vitet e fundit ka paraqitur në skenat shqiptare vepra nga disa autorë të shquar gjermanë si Brecht, Hajnrich Bël, Frederick Schiller, Hajnrih Hajne, etj.