Lajme Shqip Saturday, 26 March 2011 12:51

Tiranë – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet. Disa prej tyre janë:

“Tundimet e një nate me hënë” nga Eva Gavani. Ky është romani i parë i autores Gavani, që rrëfen marrëdhënien mes Ilirit, një avokat i mirënjohur e një familjar i rregullt dhe Anit, asistentes së tij. Ndjenja të fuqishme, që shpesh ata nuk duan t’u vënë emra, i përshkojnë të dy. Por, sa janë të gatshëm të sakrifikojnë në emër të tyre? Romani vjen i botuar nga “Toena” dhe kushton 800 lekë.

“Historia e bukurisë” nga Umberto Eco. Libri është një traktat filozofik dhe estetik mbi të bukurën në jetë, letërsinë dhe artin. Kjo vepër antologjike e estetikës është botuar në më shumë se 40 gjuhë të ndryshme. Ky libër ndriçon mënyrën se si është kuptuar bukuria e natyrës, e luleve, e kafshëve, e yjeve, e përpjesëtimeve matematike, e dritës, e gurëve të çmuar, e veshjeve, e zotit dhe djallit. “Historia e bukurisë” është botuar nga shtëpia botuese “Dituria” dhe kushton 3000 lekë.

“Rrëfenja nga Amerika” i autorit Pëllumb Kulla.  Ky libër ribotohet edhe një herë, duke sjellë për lexuesit ciklin e shënimeve që autori ka botuar për disa muaj në faqet e një të gazete, për patriotët e tij në periudhën e një dekade të emigrimit modern në SHBA. “Rrëfenja nga Amerika”, një libër me 232 faqe, është botuar nga shtëpia botuese “Toena” dhe kushton 800 lekë.

“1989. Fundosja e utopisë” nga Vladimir Tismaneanu. Një rrëfim për krizën rumune të vitit 1989 nga një njohës i mirë i politikës dhe historisë së këtij vendi. Në thelb komunizmi është i njëjtë në të gjitha shtetet që e kanë jetuar atë, dhe ky libër futet në skutat më të errëta të historisë gati tragjike të një sistemi për të treguar të vërtetat. Libri është botuar nga shtëpia botuese “55” dhe kushton 1000 lekë.