Lajme Shqip Sunday, 07 October 2012 10:02

TIRANË – Libra të rinj të autorëve shqiptarë e të huaj janë botuar këtë javë, duke iu shtuar stendave të librarive në kryeqytet.

“Autonomia e kritikës letrare” nga Behar Gjoka. Në libër paraqitet një pjesë e vogël e trajtimeve dhe shqyrtimeve letrare dhe kulturologjike, e artikujve letrare dhe e materialeve të botuara në shtypin e shkruar dhe duke sjellë pranë lexuesit disa tipe dhe mënyra komunikimi me trajtesa dhe intervista mbi letërsinë dhe çështje të ndryshme. Libri është një botin i shtëpisë botuese “OMBRA GVG” dhe kushton 700 lekë.

“Shkretëtira” nga Le Clezio. Ky libër, i botuar për herë të parë në Francë në vitin 1980, korri një sukses të menjëhershëm, duke iu akorduar nga Akademia Franceze Çmimin e Madh “Paul Morand”. Është përkthyer në 23 gjuhë dhe është një nga romanet më të shitura në shumë vende të botës. “Shkretëtira” është njëkohësisht poezi dhe tragjedi, një mbretëri dhe një syrgjyn, një eksplorim i të dyja anëve të botës. Romani përbëhet nga dy rrëfime të alternuara, edhe pse në pamje të parë ngjajnë sikur nuk kanë asgjë të përbashkët, ato janë të lidhura nga diçka ideale. Libri është botuar nga “Toena” dhe kushton 800 lekë.

“Të mërguarit” nga James Joyce. Për këtë vepër, Padraic Colum shkruan për librin. “‘Të mërguarit’ nuk është një dramë mbi tradhtinë, të njëmendtë apo të dyshuar. Autori i ‘Portretit të artistit në rini’, nuk do të na paraqesë diçka kaq banale. Nuk është një duel mes Richard Rouanit dhe Robert Hendit për të zotëruar Bertën. Në skenën kulminante, njëri i thotë tjetrit: Një duel për shpirtrat tanë, ashtu të ndryshëm siç janë, kundër gjithçkaje që ata dhe bota ka të gënjeshtërt. Një betejë e shpirtit tënd kundër fantazmës së besnikërisë dhe shpirtit tim kundër fantazmës së miqësisë”. Libri është botuar nga “Pika pa sipërfaqe” dhe kushton 700 lekë.

“Si të bëhesh president” nga Florence Littauer. Libri rrëfen historinë e filozofisë së qeverisjes së mirë amerikane nga koha e Luftës së Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Autorja e librit, Florence Littauer, nëpërmjet formimit të saj si historiane, shkrimtare dhe psikologe, nëpërmjet portreteve të presidentëve amerikanë, u drejtohet të gjithë lexuesve duke u treguar rrugën se si mund të bëhen menaxher të zotë, si mund të drejtohen programe edhe pa ndihmën e një lidershipi. Libri është botuar nga “Mësonjëtorja” dhe kushton 900 lekë.(LajmeShqip.com)