Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 13:54

Prishtinë – “Stacioni i fundit” në titull duket si një pikë ku nuk lëviz asgjë, por në shfaqjen që mban këtë titull ajo përmbledh tri kohë: të kaluarën të tashmen dhe të ardhmen (e pasigurt). Burimi shëtit në një mjegullnajë të dendur e të ftohtë tek kërkon të vërtetën e familjes të së fejuarës së tij të pagjetur që prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë. Në absurditetin e të panjohurës ai personifikon fatin njerëzor. E rrugëtimi për zbardhjen e tij vazhdon. Edhe në të ardhmen e largët (në vitin 2015). Burimi është personazhi kryesor i shfaqjes “Stacioni i fundit”, premiera e së cilës u dha të enjten mbrëma në teatrin “Oda”. Me shfaqjen me tekst të Lirak Çelajt, i cili njëherësh ka bërë edhe regjinë bashkë me Florent Mehmetin, është hapur sezoni i këtij teatri.

“Shfaqja iu përkushtohet kryesisht familjeve të humbura, viktimave dhe të gjithë atyre që kanë dhënë jetën për liri, dhe thjesht e trajton problemin e të zhdukurve, që po i mundon ende familjet në Kosovë. Jam munduar që të bashkëndiej me ta, e kryesisht edhe publikun ta shtyj që ta marrë nga një copë dhimbje nga ata që i kanë humbur më të dashurit e vet”, ka thënë Çelaj fill pas përfundimit të premierës. Publikun e ka mbërthyer “Stacioni…”. Shumica janë parë të emocionuar tek dilnin nga teatri.

“Një shfaqje prekëse duke e pasur parasysh vetë temën e trajtuar. I gjithë ekipi kishin bërë një punë shumë të mirë,  sidomos aktorët, të cilët ishin përshtatur aq mirë me personazhet e tyre duke na dhënë një shfaqje e cila më të vërtetë meriton vlerësimet më të larta”, ka thënë Arta Zajmi, studente në UP.

“Stacioni…” zgjon kujtimet e trishta. Ideja për këtë shfaqje Çelaj ka thënë se  i kishte lindur tek kishte lexuar romanin e Ibrahim Kadriut “Zogjtë fluturojnë vetë”.

E për bashkëregjisorin e shfaqjes, Florent Mehmeti, inskenimi i “Stacionit…” ka qenë proces i vështirë, pasi që është punuar me një stil dhe me një mënyrë të punës, pak më të rëndë dhe më të jashtëzakonshme. “Duke i pasur parasysh këto jam shumë i kënaqur me atë që është prezantuar sonte para publikut dhe besoj që këto fjalë do t’i marr edhe prej publikut e prej njerëzve të tjerë”, ka thënë Mehmeti. Shfaqja, sipas tij, trajton një temë të rëndë. “Por në të njëjtën kohë është temë e jona, temë të cilën ne e hapim çdo ditë”, ka thënë ai.

Për aktorin kryesor të kësaj shfaqjeje, Besnik Krapi, kjo temë është trajtuar edhe më herët po shumë pak në formën siç e trajton “Stacioni…”. “Shfaqja është e natyrës fragmentare, e cila kërkon përkushtim të madh në aspektin fizik, por shfaqja trajton një temë e cila duhet të ketë shumë seriozitet”, thënë ai. Krapi ka thënë se përshtatja në role nuk ka qenë punë e lehtë. “Por ne jemi aktorë dhe duhet t’u përshitemi, por problemi ka qenë për shkak të temës së ndjeshme. Megjithatë, besoj se secili prej nesh, ke aktor apo jo, mund t’ia arrijë, sepse është temë që na brengos të gjithëve tash  12 vjet e më tepër”, ka shtuar ai.

Në dramën “Stacioni i fundit” përveç Besnik Krapit luajnë edhe Liridona Shehu, Eshref Durmishi, Ilire Çelaj, Adrian Morina e Kushtirm Sheremeti.(LajmeShqip.com)