Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 09:49

Shkup – Me premierën e filmit artistik nga Maqedonia “Panku nuk ka vdekur” në regji të Vlladimir Bllazhevskit, sonte do ë hapet Festivali i 14-të i Filmit në Shkup, ku deri më 20 prill do të shfaqen rreth njëzet filma në kinemanë “Milenium” dhe në Kinotekën e Maqedonisë.

Në programin e Festivalit ndodhen filma të rinj nga kinematografia botërore, mes të cilëve edhe fituesit e sivjetmë të Çmimit Oskar, si: “Fjalimi i Mbretit” i Tom Huper dhe “Rrjeti social” i Dejvid Finçer. Festivali do të mbyllet të mërkurën, me projeksionin e filmit spanjoll “18 shujtat”, në të cilin ka pjesëmarrës nga Maqedonia – Millan Tocinovski luan njërin nga rolet kryesore, ndërsa drejtor i fotografisë është Brand Fero.

Krahas programit kryesor, FFSH do të ketë edhe program retrospektiv “Shkupi ’90-tat”, filma të shkurtë dhe program garues të filmave njëminutësh që FFSH e vendosi vitin e kaluar dhe për të cilin ka interesim të madh.

Mysafir i posaçëm i Festivalit është regjisori i njohur polak, Kzhishtof Zanusi, fitues i çmimeve prestigjioze filmike nga festivalet në Kanë dhe Venecie. Ai nesër do të mbajë ligjëratë në Fakultetin e arteve dramatike. Nga Kinoteka e Maqedonisë do t’i dorëzohet mirënjohje për kontribut në kinematografinë botërore.

Katër projeksione në ditë do të ketë në “Milenium” dhe tre në Konotekë. Hyrja është 100 denarë apo 200 denarë për tre filma. Krahas kinoprojeksioneve, do të shfaqen edhe në kinemanë andergraund në “menada” në Çarshi, në kafenetë “Damar”, “Çakra” dhe “Lajka”.

Festivali kushton mbi 6,5 milionë denarë, prej të cilëve 3 milionë janë nga Ministria e Kulturës, 300.000 denarë nga Qyteti i Shkupit, ndërsa të tjerat janë nga sponsorët, donacione dhe investim i FFSH-së.