Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 12:00

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë organizojnë për herë të gjashtë Konferencën Kombëtare të Bibliotekonomisë. Kjo konferencë mbahet në Prishtinë, në BKUK, më datat 18 dhe 19 nëntor 2011.

Tema kryesore e edicionit të gjashtë të Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë do të jetë “Perspektiva kombëtare në integrimet botërore”, ku do të flitet rreth rolit dhe rëndësisë së bibliotekave në sferën e integrimeve të përbotshme kulturore, që janë të rëndësishme dhe shumë domethënëse edhe për kulturën e vendit tonë.

Veçantia e këtij edicioni të gjashtë është se në të do të ketë kumtesa dhe referime të larmishme nga fusha e informacionit bibliotekar, proçesit të dixhitalizimit të librit dhe perspektivës së tij për kulturën dhe bibliotekarinë në Kosovë. Gjithashtu, në këtë edicion do të bëhet prezantimi i Portalit Albanologjik, i cili është një projekt i rëndësishëm i integrimit dhe bashkëpunimit ndërmjet dy bibliotekave tona, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës (BKUK), si dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (BKSH). Ky portal do të ketë një vlerë integruese në aspektin e integrimit brenda kombëtar Kosovë- Shqipëri, ngaqë në të do të jenë pranishme informacionet themelore rreth librit dhe kulturës sonë kombëtare. Por ai do të jetë i rëndësishëm edhe në planin e integrimeve botërore e globale, ngaqë synohet që të jetë një portë e rëndësishme e kulturës dhe librit shqiptar.

Edicioni i gjashtë i Konferencës Kombëtare të Bibliotekonomisë do të ketë tri seanca, ku me kumtesat e tyre do të paraqiten njohës të zhvillimeve në fushën e bibliotekarisë, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri, si: Etleva Domi, Fazli Gajraku, Ramazan Vozga, Bukurije Haliti, Behije Luga, Enilda Kola, Izet Abdyli, Ramize Bajraktari, Ramush Zekaj, Liridon Zekaj, Mimoza Shkodrani dhe Ederina Demo.