Lajme Shqip Monday, 10 August 2015 12:46

Një koncept pothuajse krejt tjetër i paraqitjes së veprës “Requem” të Mozartit ka bërë bashkë në Bullgari artistë nga zhanre të ndryshme. Nën regji të Ognian Draganovit, kasta e artistëve, në mesin e të cilëve edhe sopranoja kosovare, Besa Llugiqi, do të ngjiten në skenën e “Rousse State Opera” në Ruse të Bullgarisë mbrëmjen e së martës, shkruan sot Koha Ditore.

Sopranoja Llugiqi do të ngjitet e para në skenë bashkë me dy engjëj. Përballë kanë ata që vijnë nga ferri. Ekipi është në fazën finale të provave. Edhe e diela për Llugiqin dhe kolegët e saj ka qenë ditë punë. Ajo ka thënë për gazetën se koncepti regjisorial ka bërë që pjesëmarrës në shfaqje të jenë artistë të fushave të ndryshme.

“Rol të madh ka edhe baleti që emeton muzikën nëpërmjet lëvizjeve. Është një produksion shumë i madh. Secili nga ne edhe aktrojmë. Muzika është vokalo-instrumentale, por është madhështore”, ka thënë ajo.

Gjithçka do të zhvillohet nën dirigjimin e italianit Carlo Donadio, ku pjesë e kastës së artistëve do të jenë edhe mexosopranoja Snezhinka Abramova e tenori Nikollai Moscov. Koreografia i është besuar Silvia Tomovasas e kostumograf është italiani, Salvatore Russo.