Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 08:25

Tiranë – Sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho, e cila ka më shumë se një dekadë që performon suksesshëm në skenat kryesore të operas në botë, mendon se Tiranës i duhet një akademi operistike për evidentimin dhe promovimin e talenteve shqiptare dhe një qendër për artistët shqiptarë në botë.
Idetë e saj, Jaho ia propozoi në një takim Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili shprehu mbështetjen e tij, duke theksuar se “Tirana duhet të kthehet në një stacion të vërtetë turistik dhe kulturor”.
Duke e cilësuar sopranon Jaho, si një nga ambasadorët e shquar të identitetit të kulturës dhe qytetarisë shqiptare në botë, Basha u shpreh se projektet e propozuara prej saj, janë konkrete. “Propozimi për të ngritur një shkollë operistike për evidentimin dhe trajnimin e talentit të ri shqiptar me mjeshtrat me të mirë të muzikës dhe menaxhimit të muzikës operistike nga fqinjë tanë italianë, është rezultat i interesimit dhe këmbënguljes së vet znj. Jaho në Itali dhe që rezulton në një ofertë bujare nga Le province dell’Emilia-Romagna, të cilës i jap përkrahjen e plotë”, pohoi Basha.
Në lidhje me idenë e hapjes së një qëndre për yjet e artit shqiptar në botë, Basha theksoi se “kjo është një praktikë e suksesshme në kryeqytetet e Europës dhe do të përbëjë kryeqendrën kulturore të kombit, “folenë” e tyre, ku të vinë sëbashku të paktën një herë në vit, dhe të kontribuojnë jo vetëm për të evidentuar talente në fushat e tyre përkatëse dhe për t’i promovuar, por për të kontribuar për kauza të tjera artistike”.
Znj. Jaho, pasi falenderoi kryebashkiakun Basha për mbështetjen, tha se “realizimi i këtyre projekteve ambicioze do të jetë një mundësi më e madhe për zhvillimin e kulturës dhe të artit në Tiranë”.
Ermonela Jaho u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skena, përkrah artistëve të huaj. Ajo ka lindur në Shqipëri dhe filloi mësimet e saj të të kënduarit kur ishte vetëm gjashtë vjeç. Pas përfundimit të studimeve në shkollën artistike “Jordan Misja” në Tiranë ajo fitoi konkursin e parë dhe shkoi në Itali për të përfunduar studimet e saj në Akademinë e Santa Cecilia në Romë. Pas përfundimit të studimeve të saj për këndim dhe piano, ajo fitoi disa konkurse të rëndësishme, të tilla si Giacomo Puçini në Milano, Itali 1997, Spontini International Ancona, Itali 1998, në Rovereto Zandonai, Itali 1999, këngëtarja më e mirë e Festivalit Ëexford 2000.
Ajo ka performuar në shumë opera të botës, duke përfshirë Royal Opera në Londër, Metropolitan Opera në Nju Jork, Berliner Statsoper, ParisChamps Elysees-Teatro San Carlo di Napoli, Opera Kompania e Filadelfias, Opera de Marsejë, Arena di Verona, Teatro Verdi di Trieste, Teatro La Fenice,Teatri Capitoul de Toulouse, etj.
Aktiviteti i saj i parë ka qenë koncerti në Mantova. Më pas kanë qenë një sërë koncertesh, në akademinë “S. Cecilia”, konkurset, opera e parë “Cenerentola”, nga Rossini, “L’amico Fritz” nga Mascagni, e shumë personazhe si Zhuljeta, Suzana, Kontesha, Adina, Mimi, Armida etj. Ka interpretuar në teatrot “Aligheri”, Ravena, “Piçolo”, Scala-Milano dhe në shumë skena të tjera botërore. Bashkëpunimet kanë qenë edhe me televizionin italin RAI, Mondovisione, BBC etj.
Më 11 tetor Jaho pritet të performojë “Faust”-in në Barcelonë.