Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 17:30

Tiranë – Ashtu si çdo fund viti, në Pallatin e Kongreseve, “Sofra Tiranase”, ka mbledhur kryeqytetasit në festën e traditës.

Për rreth dy orë, ky edicion i 14-të, ka sjellë muzikën folklorike të Tiranës, nga emra të njohur të këngës popullore si Sinan Hoxha, Valbona Mema dhe Amarda Akraxhiu. Bashkë me muzikën që shoqërohej nga numrat koreografik udhëhequr nga Kozeta Bakiu, Shoqata “Tirana”, ka ndarë edhe tre çmime.

Çmimi i parë, iu dha Bashkisë së Mesagne në Itali, të cilin e tërhoqi kryetari i kësaj bashkie, Franco Scoditi. Çmimi i dytë iu dorëzua këngëtarit nga Kosova, Ramadan Krasniqi nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ndërsa Çmimi i trerë iu dha grupit të tifozëvë “Tirona Fatatics”, nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

“Sofra Tiranase”, e cila promovon ndër vite kulturën e kryeqytetit shqiptar, ka për synim, që brez bas brezi kultura të përçohet me vlerat e saj më përfaqësuese tek të gjithë brezat që do të vijnë.

Zanafilla e këtij spektakli nis në mesin e viteve ’90, pikërisht në Sheshin “Nënë Tereza”, kur më tepër sesa një show i mirëfilltë skenik, “Sofra Tiranase” i ngjante një varieteje me humor dhe këngë.

Në skenën e “Sofrës Tiranasë”, ndër vite, janë ngjitur edhe shumë figura të njohura të politikës, artit, sportit apo shoqërisë civile të cilët u kanë dorëzuar çmimet të nominuarve duke përcjellë edhe mesazhe inkurajuese në një atmosferë të ngrohtë qytetare.