Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:48

 

Durrës – John Lennon, pjesëtari i grupit të famshëm të Bitëllsave, do të “qëndrojë” i ulur së bashku me kitarën e tij në një nga stolat dekorativë të qytetit të Durrësit.

Skulptori Qazim Kërtusha është autori i monumentit të këngëtarit dhe kompozitorit legjendar të viteve 1960, i cili bashkë me grupin e djemve të Liverpulit, u bënë idhuj, jo vetëm në vendet perëndimore, por edhe për rininë në Shqipërinë e izoluar nga diktatura komuniste.

Monumenti i derdhur në bronz me mbështetjen e Bankës Raiffaisen është instaluar këto ditë në një nga stolat dekorativë në lulishten pranë Torrës veneciane të Durrësit.

“John Ëinston Lennon (9 tetor 1940 – 8 dhjetor 1980) është një figurat më të dashura të periudhës së rinisë sonë, pasi i këndoi pikërisht lirisë sonë të munguar”, tha për ATSH-në autori i këtij monumenti, i cili shton se ka punuar më shumë se një vit me bocetin e veprës.

Skulptori 58-vjeçar Kërtusha është një nga autorët më të njohur të veprave të parkut në qytetin bregdetar. Shumë pranë monumentit të sapovendosur të këngëtarit britanik ndodhet busti i atdhetarit Dom Nikollë Kaçorri, punuar po prej tij. Kërtusha është gjithashtu autor i monumentit kushtuar artistëve të Durrësit 3000-vjeçar, instaluar në lulishten e teatrit “Moisiu”. Fatkeqësisht disa prej veprave të parkut të punuara prej tij edhe në bashkëpunim me artistë të tjerë janë prishur gjatë zbatimit të projekteve të rikonstruksionit në hyrje të qytetit.