Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 19:00

Durrës – Sheshet kryesore të qytetit të Monzas, në Italinë veriore, prej një muaji janë zbukuruar me skulpturat dhe relievet e artistit shqiptar Helidon Xhixha.

Bashkia e qytetit, e njohur më së shumti për autodromin ku zhvillohen garat për Çmimin e Madh të “Formula 1”, ka përzgjedhur së bashku me skulptorin nga Durrësi, 10 nga punimet e përmasave të mëdha, të cilat kanë zënë vend në sheshet dhe parqet historike të Monzës, nga Piaca “Duomo” e “Villa Reale”, deri te “Arengario” ,qendra mjaft të rëndësishme për jetën sociale dhe ngarkesën historike që bartin në qytetin e ndodhur fare pranë Milanos.

2010-2011, sezon suksesi për 41-vjeçarin nga Durrësi

41-vjeçari Helidon Xhixha ka patur një sezon të ngarkuar pune, i cili vazhdon intensivisht edhe tani në një nga galeritë historike të Monzas. Galeristi Marco Monti tregon se, ekspozimi i punimeve të mëdha të Xhixhës në sheshet e qytetit i shërbeu njohjes paraprake të veprave të tij.

Ekspozita “Shkreptima drite në qytet”, e hapur më 19 nëntor në galerinë “Marco Monti” ka patur shumë vizitorë, jo vetëm në ditën e përurimit, kur për tu njohur me veprat e skulptorit shqiptar mbërritën më shumë se 800 shikues.    Galeria në rrugën “Alessandro Volta”, 17, e themeluar  në vitin 1932 drejtohet prej tre brezash nga e njëjta familje.

Silvia Perego, guidë e galerisë, thotë se, përmbledhja e punimeve të Helidonit përbën një nga ekspozitat e para me frymë moderne në “Monti”, pasi qyteti, thotë ajo është mësuar me klimën e veprave të natyrës klasike. Sipas saj, interesimi për tu njohur me teknikat që përdor Helidoni ka qenë i madh, dhe po ashtu edhe konceptet e tij mbi energjinë dhe dritën.

Forma plastike e dritës

Galeria është e vogël për volumin e veprave të Xhixhës, por përgatitja për ekspozitën dhe instalimin e punimeve ka qenë shumë serioze. Autori përzgjodhi 38 punime, kryesisht të formatit të vogël, por nuk mungojnë edhe veprat e mëdha, të cilat Helidoni i quan “mure”-sqaron Perego. Shikoni si ndryshojnë raportet e veprës sa herë që ndryshon fluksi i dritës mbi to. Lamierat metalike të Helidonit, format e të cilave ndryshojnë nga “tekat” e artistit shkëlqejnë, duke i dhënë formë edhe dritës, siç shkruan një nga kritikët italianë të artit.  Artisti shqiptar nuk shfrytëzon vetëm format e dritës së bardhë, por në mjaft raste pllakat e dimensioneve të ndryshme janë llakuar mbi të kuqen e ndezur, të zezën, blunë dhe të bardhën.

Efektet janë shumë interesante dhe kjo është gjëja që u bën përshtypje vizitorëve në galeri-dëshmon Silvana Perego.

“Në fakt duket sikur qëllimi kryesor i artistit ka qenë të shpërthejë dritën (megjithë dimensionin e saj jetësor dhe simbolik) nga materia-shkruan kritiku Francesco Poli, në një nga albumet  mjaft serioze që janë përgatitur deri tani për veprimtarinë artistike të Helidon Xhixhës.

“Dhe për të qenë më të saktë: synimi i tij të transformojë forcën dhe energjinë e aksionit krijues  në materie skulptorike, dhe më pas ta shndërrojë këtë materie në energji drite-vijon kritiku Poli.

Natyrisht skulpturat më të gjalla dhe ndriçuese janë ato me sipërfaqe të pastër çeliku inoks pasqyrues, ndërsa ato me sipërfaqe të ngjyrosura në të kuqe, të bardhë, blu, të verdhë e te zezë ( të titulluara Energji përmes së kuqes, e kështu me radhë) ngacmojnë edhe më shumë”.

Është e vështirë të qëndrosh indiferent përpara veprave të Helidon Xhixhës. “Ka patur shumë të interesuar, veçanërisht për punimet e përmasave të vogla, të cilat mund të qëndrojnë në mjedise pune, por edhe në salla shtëpish-vazhdon guidën e saj Silvia Perego. Dy nga veprat janë shitur që në ditët e para dhe çmimet kanë qenë të larta.

Helidon Xhixha, “Bir Arti” nga Durrësi

Helidon Xhixha ka lindur në Durrës në dhjetor të vitit 1970. “Bir arti”, ai kalon pjesën më të madhe të kohës në studion e të atit, Sali Xhixha, piktor i njohur në qytetin e lindjes për pasionin për artet fine, e veçanërisht për skulpturën. Ndërsa përgatitej për të filluar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, vendos të lëvizë drejt Italisë. Ishte viti 1991. Shtatë vjet më vonë falë një burse studimi i jepet mundësia të frekuentojë për tre muaj Universitetin Kingston të Londrës, duke përmirësuar teknikat e gdhendjes, skulpturës dhe fotografisë. Në shkurt të vitit 1999 diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura të Milanos, në Brera.

I njohur në mjediset akademike për stilin e tij, ai eksperimenton punime në xham në Murano dhe skulptura në çelik inoks me një teknikë të përparuar. Punimet e tij vazhdojnë të kenë një rëndësi të veçantë në arenën ndërkombëtare të artit (SHBA, Dubai, Gjermani, Francë, Austri, Angli, Monaco, Zvicër, etj.).

Vetëm gjatë vitit 2011, Helidoni ka hapur 6 ekspozita, në Verona, Monza, Milano, Paris, Në Principatën e Monakos dhe në vilën “Durazzo” në Santa Ligure pranë Xhenovas. Dhjetëra të tjera janë përuruar në qytete të ndryshme gjatë dekadës së fundit.

Helidon Xhixha është një artist mjaft i lidhur me realitetin. Veprat e tij monumentale janë të shumta.

Puna më e rëndësishme e viteve të fundit është “Rilindja e kullave binjake”, një homash për ngjarjen e 11 shtatorit në New York. Vepra e përgatitur në çelik me lartësi 6.5 metra është vendosur në Legnano, Bergamo, Como, Milano, Firenze, Berlin.

Nuk arritëm ta takojmë Helidonin, i cili po vazhdonte realizimin e një projekti në një qytet tjetër. Sidoqoftë, morëm nga Monza përtej Adriatikut, shkreptimat e tij të dritës.