Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 21:15

Prishtinë – Drejtori i festivalit ndërkombëtar të studentëve të filmit dhe teatrit në Prishtinë, “Skena UP”, Arben Zharku, thotë se është i bindur që edicioni i sivjetmë ka programin më cilësor se asnjëherë tjetër. Sipas tij, filmat dhe shfaqjet që janë përzgjedhur këtë vit janë seleksionuar në një konkurrencë të fortë.

“Mbi 800 filma dhe mbi 50 shfaqje kanë konkurruar këtë edicion për të qenë pjesë e edicionit të nëntë. Kjo ka bërë që të ketë një prurje shumë të mirë”, ka thënë Zharku. Edicioni i nëntë i “Skena UP” që do të nisë të hënën më 5 dhjetor do të ketë tri kategori prej të cilave dy janë garuese. Në kategorinë ndërkombëtare sivjet janë 58 filma përderisa në kategorinë kombëtare shtatë. Programi special përthekohet me 25 filma. Numri i shfaqjeve që do të konkurrojnë është 9 nga 50 sa kanë konkurruar.

“Filmat dhe shfaqjet janë nga shumë vende të Evropës dhe të botës. Më së shumti ka nga Gjermania, por edhe nga vende të tjera”, ka thënë Zharku.

Këta filma dhe shfaqje do të vlerësohen këtë vit nga emra të njohur të kinematografisë dhe teatrit. Emrat tashmë dihen. Nën kryesimin e francezit Ronald Bergan, juria e garës ndërkombëtare përbëhet edhe nga zvicerania Delphine Lyner dhe regjisori kosovar Jeton Budima. Juria e filmit kombëtar këtë vit përbëhet nga Stephen Lighthill nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është edhe kryetar jurie, Daniel Mulloy nga Britania e Madhe dhe Arian Krasniqi nga Kosova. Ndërsa juria e teatrit do të përbëhet nga kryetari i jurisë Brendan Ward nga SHBA-ja, Joseba Lizundia nga Britania e Madhe dhe aktorja kosovare Anisa Ismaili. Dhjetë çmime do të ndahen në fund të festivalit, të cilin do ta shijojnë plot 150 mysafirë. Disa media të huaja kanë paralajmëruar mbulimin e festivalit. “The Guardian” nga Britania e Madhe është njëra prej tyre.

Përplot njerëz të kinematografisë, teatrit e gazetarë do të mund të diskutojnë dhe të japin zgjidhje për temat që kanë të bëjnë me atë se si dhe cili është roli i prodhimit të filmit e teatrit në zhvillimin e shoqërive.

Këtë vit “Skena UP” do të ketë edhe repertorin e ndejave. DJ e grupe të njohura do të zbarkojnë në Prishtinë.

Zharku ka thënë se bendi serb “Reperitor” e ka konfirmuar ardhjen. E kjo për të do të jetë njëra prej ndejave më të veçanta.

“Kjo për shkakun se është hera e parë që një bend serb performon në Prishtinë”, ka thënë ai.