Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 09:00

Tiranë – Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vënë alarmin për numrin e madh të të prekurve nga diabeti, mjekët apelojnë për informimin e komunitetit për parandalimin dhe mbajtjen nën kontroll të saj. Sëmundja e diabetit është e parandalueshme, ndërkohë që konsiderohet si një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh të ‘heshtur’.

Sot çdo njeri mund të provojë të llogarisë rrezikun nëse mund të ketë diabet dhe shumë të thjeshtë, thonë mjekët. “Janë 8 pyetje që u duhet dhënë përgjigje sa më e drejtë për të parë gjithsecili gjendjen e tij të vërtetë”, tha Jeta Lakrori, nga Departamenti i Promocionit të Shëndetit në Institutin e Shëndetit Publik.

Ajo sqaron se për çdo pyetje, nëpërmjet alternativës që përshtatet me rastin e secilit, mund të llogariten pikët për ta parë nëse ka apo jo diabet, që lidhen me moshën, aktivitetin fizik, indeksin e masës trupore, konsumimin e frutave dhe perimeve, etj. Indeksi i masës trupore (IMT), vlerësimi i peshës trupore, perimetrit të belit, janë dy nga pyetjet që gjithkush gjen përgjigje. Pyetësori përmban pyetje mbi hipertensionin, sheqerin e lartë në gjak dhe mbi trashëgiminë e kësaj sëmundjeje.

“Duke e përllogaritur vetë rrezikun për diabet, secili përllogarit nëse bëjnë pjesë në grupe të rrezikuara për t’u bërë diabetikë, ndaj mos nguroni të konsultoheni me mjekun tuaj dhe mos harroni që diabeti tip 2 është vrasës i heshtur”, këshillojnë specialistët.

Sipas OBSH, diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në  rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë, sot numërohen rreth 200 milion diabetikë dhe në vitn 2025 mendohet të jenë 330 milionë diabetikë, apo 6,3 % e popullsisë së botës.

Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rritet me 50%. Sa i takon Shqipërisë, prevalenca e diabetit në popullatën adulte është 1.25 %, që do të thotë se kemi afërsisht 40 mijë diabetikë të njohur. Në fakt numri duhet të jetë 2-3 herë më i lartë, pasi në disa depistime të kryera në Tiranë (2004, 2006, 2008, 2009, 2010) prevalenca e diabetit të pa diagnostikuar ka qenë 3-4%, që do të thotë se në realitet shifra e përafërt e diabetikëve duhet të jetë 120-150 mijë.

Mosha më prekur nga diabeti është grupmosha 40-65 vjeç, që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Rreziku i diabetit qëndron në faktin që po prek moshat që janë aktive për punë, por këmbanat po bien, sepse forma  e diabetit 2 po takohet edhe tek fëmijët.