Lajme Shqip Friday, 18 September 2015 15:27

Njëri ndër koreografët e parë shqiptarë, maestro Skënder Selimi, ka vdekur të martën mbrëma në Tiranë. Ai ka qenë 82 vjeç. Selimi, ish-profesor universitar i koreografisë, ishte një ndër krijuesit e baletit klasik, duke vënë bazat dhe konceptet profesionale të këtij arti në Shqipëri. Selimi ishte edhe studiuesi i folklorit koreografik e i problemeve të koreografisë shqiptare.

Sipas atyre që e kanë njohur, ai ka lënë prapa një krijimtari të gjerë pedagogjike ku spikatet përpjekja për ruajtjen e individualitetit të studentit. I lindur në vitin 1933, Selimi është autor i duetit të parë klasik shqiptar, “Anusha”, koreograf i kërcimit të parë modern shqiptar “Alba”, koreograf i vodëvilit të parë shqiptar “Mirela”, si dhe autor i studimit të parë në fushën e koreografisë “Atllasi Koreografik Shqiptar”, shkruan sot Koha Ditore. Po ashtu emri i tij figuron si pedagogu i parë dhe themelues i Katedrës së Koreografisë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Kishte vënë në skenë baletet e para në Filarmoninë e shtetit dhe Teatrin e Operës dhe Baletit, si “Zarena e humbur”, “Zhurale Fadeta”, “Laurensia” dhe “Sheherezada”.

I nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”, Selimi për drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, portretizon një njeri që krejt çka pati ia kushtoi artit. Brahimaj kujton se Selimin e kishte takuar për herë të parë në vitin 1980.

“Sa herë qe kemi shkuar në Shqipëri e kemi takuar. Na ka dhënë kurajë gjithmonë, sidomos pasi kemi krijuar trupën e re të baletit pas luftës në Kosovë. Ka qenë i interesuar për bashkëpunim, por mosha e tij nuk na ka lejuar ta bëjmë këtë. Më erdhi shumë keq kur e pashë lajmin”, ka thënë Brahimaj. Sipas tij, fakti se Selimi ka pasur prejardhje nga Peja, e ka bërë edhe më të afërt me Kosovën.

“Shumë herë kemi biseduar rreth profesionit. Ka qenë dashamir dhe gjithmonë u është gëzuar sukseseve tona. Arti shqiptar ka humbur një punëtor të denjë dhe një profesor të çmuar”, ka thënë Brahimaj.

Në mars të vitit të kaluar, kur Baleti Kombëtar i Kosovës ishte prezantuar në Tiranë me shfaqjet “Dasma” dhe “Ballo e diplomës”, Selimi i kishte thënë gazetës se sa i përket nivelit artistik balerinët kanë dhënë maksimumin.

“Janë shumë të lehtë dhe shumë teknikë. Luajnë me shumë emocion, e kjo bën që të shkëlqejnë”, kishte vlerësuar ai. Kishte thënë se balerinët kosovarë janë të lehtë dhe në këtë aspekt nuk kanë asnjë problem.

“Profesionalisht nuk i kam pritur të vijnë kështu. Më habitën hedhjet e bukura që bënë”, kishte thënë ai.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, ka bërë një postim në Facebook me rastin e ikjes nga jeta të Selimit.

“Ndërroi jetë mjeshtri i kërcimit shqiptar, prof. dr. Skënder Selimi, për të vazhduar vallëzimin lart në qiell… Përfaqësues i denjë i një brezi pasionantësh të rrallë”, ka shkruar Kumbaro – Furxhi. Selimi, ndër të tjera, kishte marrë pjesë si krijues në operat e para “Traviata”, “Ivan Suzanini”, dhe në disa drama të Teatrit Popullor si “Romeo e Zhuljeta”, “Hamleti” e “Mirandolina”.