Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 15:45

Shtatorja e Hasan Prishtinës do të vendoset para rektoratit të Universitetit të Prishtinës, në prag të ditës së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo është bërë e ditur nga rektori i Universitetit, Mujë Rugova.

Shtatorja e Hasan Prishtinës do të zbulohet me 26 ose 27 nëntor, që i dedikohet 28 Nëntorit Ditës së Flamurit. Në ceremoninë e zbulimit të shtatores do të marrin pjesë përfaqësues shtetëror nga Kosova dhe Shqipëria. Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova, thotë se kjo ceremoni i dedikohet ditës së Flamurit, por do të zbulohet dy ditë më herët, për arsye se të ftuarit mund të jenë të angazhuar diku tjetër më datë 28 të këtij muaji.

Sipas Rugovës, kjo është një nga shtatoret më të mira që do të vijë në Kosovë. Ai thotë se përmasa e shtatores vetëm në bronz është tre metra e gjatë, ndërsa bazamenti i veshur me mermer është një metër.

Është përzgjedhur Hasan Prishtina, për arsye së është një nga figurat më të kompletuara në të gjitha aspektet, thotë rektori Rugova.

Para se të zbulohet shtatorja, do të mbahet një akademi shkencore, që i kushtohet figurës së Hasan Prishtinës.

Shtatorja është punuar nga Akademia e Arteve të Tiranës, udhëhequr nga zëvendës rektori i akademisë, Artan Peqini. Për këtë projekt kanë konkurruar disa kompani. Ndërkohë, komisioni është përbërë kryesisht nga fakulteti i arteve të Universitetit të Prishtinës, që ka përzgjedhur Akademinë e Arteve të Tiranës.