Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 09:45

E nisi me filmin “Hyrja e tretë”, të Blerta Bashollit dhe prej atij roli, Andin Bajgora ka realizuar edhe gjashtë role në filma të ndryshëm të metrazhit të shkurtë. Ai së fundi është prezantuar edhe me filmat “Shok”, dhe “Cheers”, të cilët janë dhënë premierë në DokuFest. Ai për KultPlus ka thënë se ëndrra e tij është të luaj edhe përkrah aktorëve hollywoodian

Për një 13 vjeçar gjërat më me vlerë në këtë moshë mund të jenë: loja me shokë, interesimi për teknologji, rrjetet sociale, sporti…. Por në rastin që po flasim ne është talenti për aktrim, për një profesion mjaft të vështirë që kërkon shumë punë dhe përkushtim. Kishte vetëm 11 vjet kur luajti në filmin e parë të metrazhit të shkurtër “Hyrja e tretë”, pra film i realizuar në vitin 2013, nga regjisorja, Blerta Basholli e që nga ai film deri më tani ai ka luajtur edhe në gjashtë filma të tjerë dhe një serial ku në secilin prej tyre ka role me shumë peshë e të ndjeshëm.

Andi Bajgora, i cili është në klasë të tetë, përpos mësimeve që ka, ai tanimë është një fytyrë shumë e njohur në kinematografinë tonë. Andi tanimë veç ka pasur shfaqjet e filmave në festivalin Dokufest, ku i pranishëm ishte në filmin “Shok”, me regji të Jamie Donoughue, që është një bashkëpunim në mes Kosovës dhe Anglisë dhe në filmi “Cheers”, të Norika Sefës, në të cilin bartë rolin kryesor. Në një intervistë për KultPlus, Andi Bajgora tregoi për fillimet e tij të para në aktrim, ku siç tha ai nuk ka pasur ambicie të mëhershme ti futet kësaj bote, por ajo i është ofruar vetë.

“Filmi i parë ka qenë “Hyrja e tretë”, nuk e di, nuk kam pas frik fare, jam ndier shumë i lirë, sikur të isha në lagje duke luajtur me shokë. Të gjithë filmat në të cilët kam marrë pjesë janë shumë interesant, i kam shijuar orët e gjata të xhirimeve, kam bërë eksperiencë të re dhe çfarë është me rëndësi, kam bërë shumë shokë, pra shokë të rritur”, filloi rrëfimin e tij Andi.

Tanimë të gjithë e dimë se filmi “Shok”, ka një histori shumë rrëqethëse ku filmi është i vendosur gjatë periudhës së okupimit serb në Kosovë, periudhë kjo që i sprovon kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për ti mbijetuar luftës. E për Andin ky ndoshta ka qenë roli më i vështirë që ka pasur, pasi që, ai nuk e ka përjetuar luftën e fundit në Kosovë. “Në filmin “Shok”, ka qenë një ekip shumë profesionalist ku kam punuar përkrah aktorëve shumë të mirë. Ka qenë pak e vështirë të veproja si një fëmijë, i cili ka përjetuar luftën, por regjisori na ka shpjeguar mirë gjithçka që ka dëgjuar, ndërsa Eshrefi na ka treguar atë se çka e ka përjetuar. Kështu që kemi pas informata të shumta dhe të qarta, të cilat na kanë ndihmuar ta përjetojmë luftën në një mënyre krejt tjetër, pa qenë ne vetë pjesë e asaj kohe”, tha ndër të tjera ai.

Sa i përket filmit “Cheers”, ku Andi ka rolin kryesor , ai tha se çdo gjë ka shkuar shumë mirë. Ndërsa përzgjedhja për këtë rol ka qenë në një mënyrë shumë të veçantë. “Regjisorja, Norika Sefa më ka pa në një foto të cilën e ka postuar vëllai im në rrjetin social, foto e cila është marrë nga filmi im i parë, pastaj ata kanë biseduar dhe Norika ka qenë shumë e vendosur që unë ta luaj këtë rol, kështu që këtë film e kam luajtur me shumë qejf”, u shpreh Andi, duke vazhduar rrëfimin e tij edhe për rolin të cilin e ka në serialin kosovaro-belg, “Tytgat Chocolat”, ku ai tha se në këtë serial nuk ka pasur rol të madh, por e rëndësishme ka qenë se ka luajtur me një ekip shumë të madh e shumë profesioniste.

Përpos këtyre roleve që ka pasur Andi deri më tani, ai tregoi për KultPlus, se së shpejti do ti shkelë edhe dërrasat e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai tha se tanimë janë në procesin e provave për një shfaqje që pritet të publikohet së shpejti. Ndërsa sa i përket aktorëve me të cilët ka luajtur ai veçoi dy prej tyre. “Me të gjithë aktorët që kam luajtur kam kaluar shumë mirë, por dy të cilët me kanë ndihmuar shumë dhe më kanë bërë të ndihem i sigurt janë Luan Jaha dhe Astrit Kabashi”, pohoi aktori, Andi Bajgora i cili vazhdoi të tregoj edhe për tre aktorët e preferuar të tij me famë botërore që janë: Johnny Depp, Jim Carrey dhe Will Pharell. Përpos kësaj, krejt për fund ai tha se planet e tij vazhdojnë me qenë shumë spontane, dhe çfarëdo që të ndodh, ndodh. Por Hollywood-i është caku i tij. “Shpresoj që të kem mundësi të luaj përkrah aktorëve hollywoodian, dhe të bëhem pjesë e kësaj industrie, shpresoj një ditë…”, përfundoi kështu rrëfimi i aktorit trembëdhjetë vjeçar, Andi Bajgora./KultPlus/