Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 17:45

Tiranë – Janë miliarda në botë konsumatorët që i vlerësojnë shijen, por kur fantazia hyn në lojë, kafeja mund të shndërrohet edhe në punim artistik, për t’u shijuar edhe vizualisht.

Ky është rasti i Saimir Stratit, sfida e radhës për të thyer një tjetër rekord Guinness, është ky mozaik 25 m2, me 1 milion kokrra kafeje, më i madhi në botë i kësaj gjinie, njoftoi Top Channel.

“E kam konceptuar botën si një familje, një botë, një familje, një kafe, 5 personazhe që përfaqësojnë 5 kontinentet. Vepra është mundësuar nga Lori Caffe”, deklaron artisti Saimir Strati. Janë tre tonalitete ngjyrash, të përftuara nga kafja e papjekur, gjysmë e pjekur dhe e pjekur mirë. Mozaiku mendohet të përfundojë në fillimet e muajit dhjetor.

Saimir Strati është deri tani fitues i 5 rekordeve Guiness, me punime të tjera që përpos fantazisë, e mjeshtërisë së punimit, kërkojnë një durim të jashtëzakonshëm. Disa prej tyre: mozaiku me kunja, me tapa, gozhdë. Çdo kokërr kafeje e ngjitur, i jep më shumë formë mozaikut, ndërkohë që e afron artistin Strati drejt Gunniess-it të tij të gjashtë.