Lajme Shqip Friday, 28 September 2012 18:47

Sarandë -Gazetarët francezë, reportazh në Shqipërinë nënujore. Zbulimi i një vendi të humbur të Europës, ku fshihet një pasuri e jashtëzakonshme detare.

Një muaj më vonë, fund shtatori 2011. “Them se duhet të vish të shohësh”, më thotë Filipi, fotograf i Ocean 71, teksa del nga uji dhe duke u varur në fund të varkës. “Kjo do të të pëlqejë”. Ai sapo ka zbuluar diçka të jashtëzakonshme, që nuk ka fare të bëjë me atë çka ne kishim mundur të vëzhgonim, qysh në fillim të shtatorit, kur gjithë ekipi ishte bashkuar me mua për të eksploruar fundin detar të rajonit. Duke ardhur në Shqipëri, unë doja të verifikoja një hipotezë: një vend i izoluar nga pjesa tjetër e botës për gati një shekull, duhet të ketë një fund detar të një bukurie të rrallë dhe të ruajtur nga çdo zhvillim industrial e turistik. Intuita më thoshte se duke shkuar atje mund të zbulonim se si mund të ketë qenë Mesdheu.

Pas eksplorimit të shumë gjireve pranë Sarandës, hipoteza ime u konfirmua. Pavarësisht zhvillimeve më të fundit turistike, ne ishim praktikisht të vetmit, vetëm pak kilometra prej mijëra varkave të ankoruara përgjatë bregut grek. Në këto ujëra të kristalta zbuluam zona që ngjanin me rezervate natyrale. Aq sa mund të kapë syri, fusha të gjelbra algash dhe sfungjerësh rriten në mënyrë harmonike. Nëpër të çarat e shkëmbinjve ne gjejmë gjithashtu forma të veçanta koralesh. Ne progresojmë përgjatë kanioneve të gjata nënujore, me një vegjetacion të mrekullueshëm ujor dhe banuar nga mijëra peshq dhe krustace. Shenjat e vetme të prezencës njerëzore janë predhat e shumta dhe mbeturinat e minave të shpërthyera, të kujtojnë të shkuarën militare të këtij vendi.

Mbetet të shohim nëse zona e parë e eksploruar nuk është veçse një përjashtim. U vumë pra në rrugë më në veri, përgjatë maleve befasuese që na u shfaqën gjatë rrugës nga Italia. Në hartë, një gji i madh i rrethuar nga dy maja shkëmbore, duket strehimi i vetëm për të kaluar natën. Porto Palermo duket një port natyror i mrekullueshëm në mes të rrugës midis dy qyteteve fqinje në jug, Saranda dhe Vlora. Teksa në fund të udhëtimit ne hyjmë në gjirin e madh, ne zbulojmë një fortesë të mrekullueshme otomane, të ndërtuar nga Ali Pasha, zotërues i këtij rajoni gjatë pushtimit turk. E fshehur pas fortesës, një skelë e madhe në formë T-je ndihmon ndonjë varkë të ndalojë. Vendi është i një bukurie të jashtëzakonshme. Përreth jemi të rrethuar nga male. Në shpatet e thepisura, vetëm barëra që zbardhojnë dhe ndonjë ulli i vjetër i ka rezistuar sulmit të erërave dhe të kohës. Në të rënë të mbrëmjes, një varkë peshkimi prej disa metrash gjatësi vendoset bri nesh. Përpara se të gdhijë, në agim ai zbret dhe u shet peshk njerëzve që mbijnë nga hiçi. Rreth 15 arka me peshk e fruta deti dolën prej barkës. Filipi ia nisi bisedës me peshkatarin që flet pak italisht. Biseda u zhvillua në anijen tone,deri vonë në mbrëmje.Agroni,i zoti I  peshkut na konfirmoi që ujrat shqiptare janë ende tepër të pasura. Jo vetëm për këtë ne presim. Pas disa gotash rakie, Agroni na tregon më pas se ai dinte një vend në det ku nuk peshkonte vetëm peshk. Ai ul zërin dhe pëshpërit sikur ndokush po e spiunon “Më ndodh që të gjej edhe amfora romake, gjithashtu”.

Ishte kështu që disa ditë më pas, pasi hyra në ujë për të ndjekur Filipin, pata një ide mbi atë që ai kishte zbuluar. Dhe në fakt, në më pak se 5 metra thellësi, një copë terakote del nga rëra. Pasi e pastruam dhe e fotografuam objektin, kuptojmë se ka shumë mundësi që ajo të jetë pjesë nga një amforë apo një vazo antike. Rreth 50 cm e gjatë dhe 30 cm e gjerë, copa është zbukuruar me vija paralele. Edhe pse e thyer, një prej veshëve të saj është mirë e dukshme dhe ndoshta ky detaj do të na lejojë të saktësojmë datimin e zbulimit tonë të parë. Ditët në vazhdim eksplorojmë të gjithë vendankorimet që duken të jenë streha të mira. Dhe në çdonjërën syresh ne lokalizojnë fragmente të tjera qeramike antike, të shpërndara aty-këtu, të varrosura në rërë. Në më pak se një javë fotografojë në të gjitha këndet një numër të madh grykash dhe funde vazosh të lashta. Mbetje arkeologjike që kanë dremitur gjatë shekujsh, vetëm nën disa metra thellësi në det.

Saranda, disa ditë më vonë
Auron Tare, drejtori i Qendrës Shqiptare për kërkimet detare, nuk vonoi shumë të na takonte. Sapo i shpjegova në telefon interesin tonë të përbashkët dhe zbulimet që ne donim të bënim, do të më linte takim një orë pasi të hynim në Portin e Sarandës. Burri që u shfaq së largu, duke zbritur nga një “Land Rover”, i ngjante një gjiganti. Shpatulla të gjera, flokë të prerë shumë shkurt dhe një palë syze fine, një shqiptar tek të 40-at me një buzëqeshje të ngrohtë. “Si ia çoni?”, më pyet ai me një theks të fortë amerikan. Vetëm pak minuta më pas ne u ulëm në tarracën e një prej hoteleve luksoze të qytetit. Teksa jeton mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Auron Tare njihet si ujku i bardhë në Sarandë. Prej vitesh ai punon aktivisht për të promovuar pasuritë kulturore dhe natyrore të vendit të tij në gjithë botën. Një prej krenarive të tij më të mëdha është pjesëmarrja në një fondacion të një parku kombëtar, pranë Qendrës Arkeologjike të Butrintit, disa kilometra larg Sarandës. Rrënoja greke, romake dhe bizantine, të ruajtura shumë mirë janë zbuluar atje gjatë shek. XX. E klasifikuar si trashëgimi botërore nga UNESCO, kjo qendër vizitohet nga më shumë turistë, vit pas viti.

Pas pesë vjetësh, Auron Tare është përfshirë në një fondacion eksplorimi nënujor amerikan “RPM Nautical Foundation”, për të realizuar hartën e saktë nënujore shqiptare. Me anijen e tyre prej 30 metrash “Herkuli”, ekipi amerikan inspekton fundin e detit, i ndihmuar nga një hidrolokator dhe zbulon reliktet e shumta të mbytura që ndodhen atje. Auron Tare më shpjegon përse ai nuk është habitur aq nga reliktet e shumta të zbuluara kaq pranë bregut: “Rajoni ka qenë gjithmonë një rrugëkalim i rëndësishëm detar. Gjatë antikitetit, galerat kalonin këtejpari për të arritur në Lindjen e Mesme dhe në Egjipt. Më pas, ky udhëkryq mesdhetar ka qenë teatri i përplasjeve më të forta detare, që janë zhvilluar gjatë luftërave botërore dhe Luftës së Ftohtë. Në nëntor 2009, ne kemi gjetur për të parën herë, në kanalin e Korfuzit, mbetjet e një anijeje angleze, e cila kishte kaluar mbi një minë nënujore në 1946-n. Kjo ngjarje u konsiderua si një nga arsyet e fillimit të Luftës së Ftohtë. Në 2011, në një thellësi prej 50 metrash ne zbuluam 300 amfora, të cilat me gjasë mund të datojnë në shekullin e dytë apo të parë përpara Krishtit. Përgjatë 5 viteve që punoj me RPM janë lokalizuar rreth 20 relikte të të gjitha epokave. Izolimi thuajse i plotë i vendit gjatë shekullit XX ofron kushte unike kërkimi, vit pas viti ne po zbulojmë një muze të vërtetë nënujor”.

Gjatë bisedës unë zbulova brishtësinë e madhe të kësaj pasurie të jashtëzakonshme historike që asgjë dhe askush nuk e ka prishur përgjatë shekujve. Auron Tare vazhdon: “Edhe pse e vendosur në kontinentin europian, Shqipëria është akoma një vend në zhvillim. Uji i pijshëm nuk është i mundshëm për të gjithë, avaritë elektrike janë të vazhdueshme… një shembull tjetër: zhytja nënujore nuk është rregulluar akoma me ligj. Ky duhet të shkruhet e të votohet. Në mungesë të ligjit, teorikisht askush nuk mund t’ju ndalojë që të zhyteni vetëm. Në praktikë, zhytjet u shpëtojnë autoriteteve. Kjo mungesë dhe ideja e të lejuarit të të huajve të zhyten e acaron policinë. Nëse nuk bëhet asgjë me shpejtësi, pasuria jonë ngujore, qoftë ajo natyrore apo kulturore, rrezikon të plaçkitet. Fatkeqësisht në kontekstin aktual politik dhe ekonomik, mbrojtja e këtyre mbetjeve nuk është një prioritet. Në veri, dëmet e shkaktuara nga peshkimi me dinamit janë shumë të mëdha. Duke qenë se shumë njerëz atje jetojnë në një varfëri ekstreme (paga mesatare e një nëpunësi është 150 euro në muaj), nuk kanë asnjë mënyrë tjetër për t’u ushqyer veç peshkimit me eksploziv. Një katastrofë për botën ujore.

Më kujtohet atëherë një pyetje që më shqetësonte, pasi hymë në ujërat shqiptare. “A vazhdojnë të ekzistojnë fushat e minave nënujore, për të cilat flitet shumë?”. Auron Tare qesh. Nuk duhet të jem i pari që i bëj këtë pyetje. Përgjigjja e tij është mahnitëse: “Nuk ka pasur kurrë as edhe një minë të vetme të vendosur gjatë periudhës komuniste. Kjo histori ka qenë një nga blofet më të mëdha të shekullit XX. Enver Hoxha bëri që ta besonte e gjithë bota se kjo fushë ekzistonte për të frenuar këdo që do t’u afrohej brigjeve. Të vetmet mina të vendosura në det datojnë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ushtria është duke nxjerrë të fundit nga uji. Por fushat e mëdha të minave të përmendura ende edhe sot në hartat e lundrimit nuk kanë ekzistuar kurrë”. Disa ditë më pas, shohim të largohen brigjet shqiptare me përshtypjen se po arrijmë botën e njohur. U kthyem me ndjesinë se kishim zbuluar një rajon të botës, kaq afër dhe në të njëjtën kohë kaq larg. Pasi ka vendosur të dalë sa më shpejt nga e shkuara e saj e trazuar dhe duke luftuar me rindërtimin e tij të pabesueshëm, vendi i shqiponjave sapo ka nisur të zbulojë sekretet e tij, në rrezik të humbjes në hiçin e kohës, thesare prej qindra e mijëra shekujsh. (LajmeShqip.com)