Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 18:18

Tiranë – Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, në kuadër të Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, zhvilloi një sërë veprimtarish promovuese për libra të rinj si dhe një panair, në të cilin morën pjesë disa shtëpi botuese, si “Toena”, “Dudaj”, “Arba”, “Onufri”, “Dituria”, etj.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, tha se panairi, edhe pse simbolik, është krijuar për t’u ardhur në ndihmë studentëve dhe pedagogëve pasi librat ofrohen 20-50 % më lirë.

“Këto aktivitete janë një mundësi e mirë për studentët që të kenë një kontakt fizik me librin, sikurse kanë edhe në panairin e librit që ne organizojmë, gjithashtu edhe auditoret ku diskutohen probleme të librit janë mbushur me studentë të cilët kanë qënë të interesuar dhe kanë marrë pjesë në diskutime”, tha Ymeri.

Aktivitetet janë çelur rreth orës 09.00, ku në dy salla të mëdha autorë të ndryshëm kanë prezantuar librat e tyre të rinj apo të botuar kohët e fundit.

Disa prej botimeve që u promovuan ishin “Faik Konica. Jeta në Uashington” nga Ilir Ikonomi, “Monolog” nga Artan Fuga, “Kuja e Mnemozinës” nga Agron Tufa, “Erotikon” Virgjil Muçi, “Martin Camaj, vepra e plotë”, por edhe libra të përkthyer si “Historia e bukurisë” nga Emberto Eco.

Gjatë këtyre aktiviteteve u organizuan edhe tryezat “E ardhmja e fjalës së shtypur në epokën dixhitale”, “Letërsia shqipe dhe njohja e saj jashtë vendit”, ku morën pjesë specialistë të fushave përkatëse nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, shkrimtarë, botues, etj., të cilët shprehën mendimet e tyre në lidhje me tematikat e shtruara.

Në panairin e organizuar në oborrin e fakultetit ekspozuan botimet e tyre edhe disa shtëpi botuese që pak kohë më parë janë larguar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë për të formuar Shoqërinë e Librit Shqip. Në lidhje me këtë kryetari i SHBSH-së, Petrit Ymeri, tha se libri nuk ka kufizime dhe është e drejta e lexuesit të zgjedhë atë që preferon siç është e drejta edhe e shtëpive botuese të krijojnë shoqëri.

Aktivitetet e ditës kushtuar librit do të mbyllen mbasditen e sotme, si çdo vit, me konkursin poetik mes studentëve krijues të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Ka vite që çdo 23 prill, në pesë kontinentet, festohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, një ditë e caktuar nga UNESCO në nderim të shkrimtarit të shquar anglez, Shekspir,  i cili më 23 prill ka dhe ditën e lindjes. Po në këtë ditë ka vdekur Miguel Servantes dhe Inca Garcialaso de la Viega, etj.

Prej vitit 2001 edhe Shqipëria, i është bashkëngjitur vendeve të botës për festimin e kësaj dite të shënuar të dijes, nën moton “një libër, një lule”.