Lajme Shqip Tuesday, 11 August 2015 11:21

Për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit me pjesëmarrës të 161 piktorëve nga 51 shtete të botës. Drejtues i këtij festivali, Helidon Haliti, kryetari i Komisionit të vlerësimit të aplikimeve, Skënder Kamberi dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, bënë sot të ditur detajet e këtij aktiviteti që do të hapë dyert në muajin nëntor.

Piktori Helidon Haliti, bëri të ditur se në Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit kanë aplikuar 51 shtete dhe mbi 260 piktorë kanë shprehur dëshirën duke aplikuar në mënyrën e tyre më korrekte për tú bërë pjesë e saj.

“Ndërkohë që kanë aplikuar nga Shqipëria vetëm 5 artistë. Por, për arsye se ne kemi emrat më të mëdhenj të artit të akuarelit botëror, ne i përzgjedhur me një komision, janë 161 emra që unë i shpall sot dhe do të jenë pjesëmarrës, pasi do të vijnë në Shqipëri. Për skuadrën shqiptare që unë jam i ndjeshëm, ne e shtymë përzgjedhjen e tyre edhe 3 muaj të tjera, në nëntor është ekspozimi. Do t’i japim mundësi që të aplikojnë. Ne e kemi shumë të lehtë që të bëjmë një përzgjedhje nga aplikuesit që kanë marrë pjesë deri tani”, deklaroi Haliti.

Për kryetarin e Komisionit të Vlerësimit, Skënder Kamberi, është bërë një përzgjedhje e mirë të artistëve që do të marrin pjesë në festival, duke pasur parasysh ato piktura që janë cilësisht dhe artistikisht të mira. “Është hera e parë që hidhet një hapë i sigurt në plan botëror. Ne nuk na njeh bota në asnjë fushë, nuk kemi shpikur asnjë gjë, qoftë në artizanat apo mjekësi. Ky është një hap i madh kombëtar. Do të na njohë bota. Ky është një nder i madh që i bëjmë kombit tonë. Meritat për këtë i shkojnë stafit organizues dhe institucioneve që na kanë mbështetur. Ne do të demonstrojmë shijen tonë evropiane, nuk jemi diletant, ndaj do të përfaqësohemi me punë serioze dhe të përkushtuara”, deklaroi piktori i njohur Kamberi.

Për anëtarin e Komisionit të Vlerësimit, piktori Qamil Prizreni, Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit është një ngjarje shumë e madhe sepse kemi arritur gjashtë dekada pa i kushtuar këtë vëmendje.