Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 21:30

Tiranë – Shqipëria është bërë sot pjesë e një maratone që po zhvillohet në 50 vënde të botës për të përkujtuar 200-vjetorin e lindjes së shkrimtarit britanik me famë botërore, Charles Dickens.

British Council, po promovon, me anë të një fushate globale eventesh në film, teatër dhe konferenca, shkrimtarin që ende sot frymëzon njerëz në të gjithë botën, ndërkohë që Shqipëria do ta kujtojë Dickends në film dhe letërsi.

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, do të shfaqë nga sot deri në datën 10 shkurt, disa nga arritjet më të mëdha të kinemasë britanike të bazuar në veprat e Dickens.

Gjatë një konference për shtyp, paraditen e sotme në “Marubi’, drejtori i akademisë, Kujtim Çashku u shpreh se historitë e Charles Dickens, ishin një nga mundësitë e pakta për njohur artin britanik, në kohën e diktaturës.

“Dickens arriti të shpërthente diktaturën dhe të futej në ëndrrat e rinisë shqiptare. Kjo është arsyeja kryesore që shqiptarët kanë një lidhje speciale me kreativitetin e tij”, tha Çashku.

Në ekranin e Marubit, u shfaq sot, filmi David Copperfield, një prodhim i vitit 1913-të, nga romani i tetë i Charles Dickens. Sot kanë ngelur vetëm 8 minuta nga ky film që ka qënë realizuar në 2 orë. Gjatë ditës së sotme dhe në vazhdim do të shfaqen, në Marubi, në Kinema “Agimi” dhe “Imperial” prodhime të tjera frymëzuar Dickens si “Nicholas Nickleby” dhe “Oliver Twist”.

Drejtorja e British Counsil në Shqipëri Aida Bërxholi, u shpreh se shfaqja e filmave në kudër të 200-vjetorit të lindjes së Dickens do të sjellë në Shqipëri ekranizimet më të mira të kinemasë britanike.
     “Programi është një dedikim për influencën botërore që ka pasur Dickens për të përçuar kulturën britanike në të gjithë botën”, tha Berxholi.

Përkujtimi në Shqipëri i shkrimtarit, novelat e të cilit janë ende relevante për shoqërinë moderne, do të përfshijë edhe maratonën e leximit në një adresë në internet, në të cilën për 24 orë, 24 shtete të botës do të lexojnë pjesë nga 24 romane të Charkes Dickens.

Maratona ka filluar në orën 08:00, të ditës së sotme në Australi dhe Shqipëria do të bëhet pjesë e saj në orën 21:00, ku disa nxënës nga gjimnazi “Petro Nini” do të lexojnë pjesë nga një roman i Dickens.

Në kudër të aktiviteteve kushtuar shkrimtarit, që reflektojnë lidhjen globale të tij, në Shqipëri është ftuar dhe shkrimtarin dhe kritikun britanik Ian Haydn Smith, i cili do të mbajë një workshop me studentët e filmit dhe letërsisë për Dickens.

Charles Dickens ka lindur në 7 shkurt të vitit 1812 dhe u nda nga jeta në 9 qershor 1870. Ai është një ndër nga shkrimtarët më të famshëm britanik që historitë e tij janë ekranizuar në të gjitha zhanret e dramës, muzikës. Në mënyrë të pakrahasueshme ai është një ndër novelistët që ka influencuar në shoqëritë në mbarë botën.