Lajme Shqip Friday, 06 April 2012 16:30

Tiranë – Ibrahim Kodra është ndër piktorët që përmes punimeve të tij do të kthehet në atdhe në këtë 100-vjetor të vendit.

Krijimet e tij artistike do të prezantohen për publikun shqiptar, në ekspozitën e radhës në Galerinë Kombëtare e Arteve, që prej datës 13 prill dhe deri në 20 maj. Ekspozita e tij do të mbaj emrin e një prej krijimeve të tij, “Shqipëria fantastike”.

Ekspozita e Ibrahim Kodrës do të çelet në bashkëpunim me Fondacionin Kodra në Milano, ku një grup i GKA-së ka përzgjedhur veprat e tij më të mira. Fondacioni “Ibrahim Kodra” ne Milano disponon vetëm pak prej qindra tablove të kompozuara nga Kodra, ndërkohë që shumë prej tyre janë shitur kur ai ka qenë ende gjallë.

Sipas GKA-së, 50 % e veprave të Kodrës ndodhet në Tiranë, në pronësi të koleksionistëve shqiptarë dhe 50 % e ekspozitës në GKA do të jetë me veprat e këtyre koleksionistëve dhe pjesa tjetër do të jetë nga Fondacioni Kodra.

Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara nga muze privatë, koleksionistë dhe vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara. Ai ka hapur ekspozita në vende të ndryshme të botës me piktorët më të njohur bashkëkohorë, si ekspozitë kolektive në “Paradise”, me piktorë si Picasso, Dali, Matta, Ernest, Levi, Panseca, Braque etj. Ekspozitë kolektive në “Stone Gallery” në Newcastle me Corneille, Gear, Gleghorn, Michaux, Millares. Ekspozita në Itali, Gjermani, Francë, Amerikë etj.

Ibrahim Kodra ka lindur në Ishëm të Durrësit në vitin 1918. Ai vdiq në vitin 2006 në Milano të Italisë ku jetonte prej 30 vjetësh. Veprat e tij gjenden në  Muzeumin e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve në Romë, në Galeri dhe në Muzeume të njohura të botës si në Itali, Zvicër, Danimarkë, Gjermani, Japoni, Angli, Francë, USA, Rusi, etj.

Pas Ibrahim Kodrës, GKA do të çel edhe ekspozitën e piktorit Lid Delija edhe kjo në kuadër të 100-vjetorit.