Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 21:34

Tiranë – Poeti amerikan Frederick Turner, kandidat për Çmimin Nobel, do të mbërrijë në Tiranë më 14 maj, për të promovuar librin e tij më të ri të botuar për herë të parë në shqip “Vendi i pazbuluar: sonatat e një shtegtari”.

E veçanta e këtij libri është se, me dëshirën e poetit, ai do të botohet për herë të parë në gjuhën shqipe, si një gjest domethënes i respektit të poetit amerikan për shqiptarët dhe pastaj vëllimi do të publikohet në anglisht.

“Vendi i pazbuluar: sonatat e një shtegtari” nuk është thjeshtë një koleksion sonatash krijuar, në origjinal, në formën më të prerë tradicionale nga një poet bashkëkohor Anglo-Amerikan, por një dhuratë e çmuar që vjen tek lexuesi shqiptar nga Frederick Turner.

Mbi 40 institucione letrare nga e gjithë bota e kanë konfirmuar vlerësimin e tyre ndaj këtij poeti, duke e propozuar atë për Çmimin Nobel në letërsi, ndërkohë që disa prej institucioneve letrare më prestigjioze të botës i kanë akorduar atij çmimet e tyre më të larta letrare si, atë Levinson Prize dhe Milán Füst Prize.

Në të njëjtën kohë do të bëhet edhe prezantimi i librit “Kënduar Majëkrahut: Poezi heroike Iliriane” (Sung Across the Shoulder: Heroic Poetry of Illyria), që sapo ka dalë nga shtypi në Amerikë, ku përfshihen një numër i konsiderueshëm këngësh të përkthyera nga shqipja në anglisht nga bashkautorët e librit, Gjekë Marinaj dhe Frederick Turner.

Promovimi i librit do të bëhet nga shtëpia botuese “Nacional”, ditën e shtunë, ora 11:00, në Hotel “Tirana International”.