Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 06:37

Tiranë – Një koncert homazh, në nderim të viktimave të cunamit në Japoni, u shfaq mbrëmë në Universitetin e Arteve, me vepra të kompozitorëve Aleksandër Peçi, Kozma Lara, Ajet Çekiçi dhe Endri Sina.

Koncerti për piano kontemporane “Cycloniana” u interpretua nga pianisti shqiptar me aktivitet artistik në Gjermani, Desar Sulejmani, i cili çeli mbrëmjen me pjesën Ostinato variacionale të kompozitorit Çekiçi.

Kompozitori Aleksandër Peçi u shpreh se koncerti me një tematikë drithëruese është një homazh për mijra jetë njerëzore të humbura në Japoni.

“Cycloniana është raporti i njeriut me klimën, ambientin, planetin, të sotmen, të ardhmen e tij dhe që e bëjnë artistin me gjuhën magjike të artit të sensibilizojë njerëzit”, tha Peçi.

Pianisti Sulejmani intepretoi gjatë mbrëmjes sonatën për piano të kompozitorit Lara si dhe premierën e veprës muzikore të kompozitorit Sina “Triste”.

Tragjedia që ndodhi në Japoni, ishte dhe shtysa që kompozitori i njohur Aleksandër Peçi të ndërmerrte organizimin e këtij koncerti me muzikë klasike, i cili ka trishtimin brënda.

Dhimbja ndihet gjithashtu edhe në tre veprat e kompozitorit Peçi “Arc en ciel”, “Cycloniana” dhe “Gjëmosferë”, të cilat mbyllën mbrëmjen homazh.

Sipas kompozitorit Peçi, mbas këtij koncerti me premiera të veprave pianistike, do të ketë një koncert të dytë me flaut kontemporan me vepra të kompozitorëve Kraja, Çene, Rushiti, Bicaj, etj., që do të interpretohen nga flautisti Elvis Rudi.

Koncerti “Cycloniana” dhe ai “Etnosfera”, që do të shfaqet gjatë muajit prill, janë pjesë e projektit Qëndra e zhvillimit të kompozicionit kontemporan, e që shfaqen për publikun në kuadër të projektit të Universitetit të Arteve “Qyteti i Arteve”.

I ftuari i këtij koncerti, pianisti Desar Sulejmani zhvillon një aktivitet të larmishëm jashtë kufijve shqiptarë në Gjermani, ndërsa është një nga emrat më të vlerësuar të artit shqiptar në botë. Pas mbarimit të studimeve në Gjermani, Sulejmani që nga sezoni artistik 2009/2010 është pjesë e trupës artistike të Teatrit të Operas dhe Baletit në Gelsenkirchen. Në tetor të vitit 2010 është zgjedhur ndër 100 dirigjentët nga e gjithë bota pjesëmarrës në Akademinë e parë ndërkombëtare të dirigjentëve.