Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 12:54

Tiranë – Përfaqësues të shoqërisë civile nga fusha e kulturës e përfaqësues të mediave shqiptare bënë publike paraditen sot një promemorje në lidhje me situatën e trashëgimisë kulturore në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Në tryezën e rrumbullakët “Trashëgimia kulturore, mes premtimeve dhe lëshimeve elektorale”, të mbledhur sot në restorant “Saraji” u diskutua në lidhje me situatën aktuale të veprimtarisë së të zgjedhurve vendorë në qëndrimet ndaj trashëgimisë kulturore, fokusimin e kandidatëve në çështjet e ruajtjes së trashëgimisë, etj.

Kryetari i shoqatës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, Artan Lame, u shpreh gjatë takimit, se kjo fushatë elektorale ka nisur shumë e impostuar politikisht, gjë që e vështirëson orientimin e njerëzve në probleme që lidhen direkt me çështje të qytetit të tyre.

Një pikë tjetër, që u diskutua nga të pranishmit në këtë tryezë, Maks Velo, Aleksandër Çipa, Mustafa Nano, Iva Tare, etj., ishte edhe tërheqja e vëmendjes së elektoratit në kërkesat ndaj kandidatëve në drejtim të trashëgimisë kulturore.

Në promemorjen drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Partive Politike, Shoqatës së Bashkive, Shoqatës së Komunave disa nga pikat që u drejtohen kandidatëve janë: përfshirja në programet zgjedhore të marrjes së masave që kanë të bëjnë me ruajtjen e trashëgimisë kulturore; ruajtjen e sa më shumë hapësirave të mbetura publike, parqe, ambiente sportive; marrjen e përgjegjësisë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, etj.

Artan Lame ka çelur pak kohë më parë edhe një ekspozitë përkujtimore “50 më pak”, në të cilën ishin përmbedhur 50 fotografi të objekteve të trashëgimisë kulturore që nuk ekzistojnë më.