Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 14:55

Shkup – Rreth 60-të botues nga Maqedonia dhe disa nga vendet fqinje do ta prezantojnë produksionin e tyre në Panairin e 23-të ndërkombëtar të librit, i cili do të mbahet prej 12 e deri më 17 prill, në Panairin e Shkupit në sipërfaqe prej 4. 000 metra katrorë.

Krahas botimeve të zhanreve të ndryshme, lexuesit do të kenë mundësi për takime me autorët nga vendi dhe të marrin pjesë në shumë promovime.

Manifestimi organizohet në bashkëpunim me Shoqatën e botuesve dhe librarët e Maqedonisë (SHBLM) dhe Shoqatës së botuesve shqiptarë. Patron i panairit është Ministria e Kulturës, e cila do të marrë pjesë me stendë të saj, ku do t’i prezantojë projektet e saj letrare, ndërsa do të fokusohet në 50 vitet jubilare të Mbrëmjeve struagne të poezisë.

Panairi i libirt këtë vit do të mbahet me moton “Dhuro libër, dhuro pasuri” – aksion i Panairit të Shkupit, të cilin do ta përkrahin shumë personalitete të njohur – aktorë, këngëtarë, prezantues, gazetarë, njerëz nga bota e modës…

SHBLM edhe këtë vit do t’i ndajë pesë çmimet tradicionale, mes të cilëve edhe çmimi për botim më të mirë mes dy panaireve, për çka do të vendos juria.

Panairi i librit do të punojë prej ora 10 deri në ora 20. Hyrja është 30 denarë, ndërsa për vizitë në grup 20 denarë. Në kuadër të manifestimit, prej 13 deri më 15 prill në sallën e dytë të panairit do të mbahen edhe Ditët e 14-ta të arsimit dhe karrierës.