Lajme Shqip Thursday, 30 August 2012 17:10

Shkup – Nën moton “Nga luftërat Ballkanike  deri te paqja  Ballkanike” më 1 shtator me fillim në orën 20:00 në sheshin Maqedonia, Radio Televizioni Kombëtar Turk do të organizojë  koncert gjatë gjithë mbrëmjes me muzikë tradicionale  të quajtur “Ballkan Fest”.

Në festivalin e organizuar me rastin e  100 vjetorit  nga përfundimi i luftërave Ballkanike, do të marrin pjesë yje të njohura muzikore nga rajoni, ndërsa është paralajmëruar edhe pjesëmarrje e 14 performueseve të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Greqia, Bosnja e Hercegovina, si dhe Maqedonia.

Ato do të shoqërohen nga orkestra e madhe simfonike,  me përbërjë  speciale për këtë koncert prej 60 muzikantëve nga Turqia, Maqedonia, Kosova, Bullgaria, Serbija, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria.

Organizatorët paralajmërojnë spektakël, ndërsa nga emrat që do të permformojnë janë, Esma Rexhepova dhe Ismail Lumanovski nga Maqedonia, Irma Libohova nga Shqipëria, Shkurte Fejza nga Kosova, George Hristov Teodosij Spasev nga Bullgaria, Hanka Paldum nga Bosnja e Hercegovina, Suzan Kardesh, Surki Tutkun, Serkan Çari nga Turqia, Mirko Svenda nga Kroacia , Ksenija Mijatoviq nga Serbia dhe Sofia Papazoglu dhe Hristo Papadopulos nga Greqia.

Koncerti do të xhirohet drejtpërdrejt nga TRT-1, ndërsa do të transmetohet drejtpërdrejtë edhe në vendet e tjera ballkanike. Qëllimi i kësaj ngjarje muzikore është njohja reciproke  e popujve ballkanikë dhe mesazhi se muzika nuk njeh kufij dhe  gjithmonë bashkon. (LajmeShqip.com)