Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 08:26

Shkup – Në sallën 2 të Panairit të Shkupit, sot do të hapet edicioni i 14-të i Ditëve të arsimit dhe karrierës, që do t’u mundësojnë studentëve të ardhshëm që në një vend të njihen me programet studimore të institucioneve të larta arsimore nga Maqedonia dhe nga jashtë.

Këtë eveniment a ka hapur ministri i Arsimit dhe Shkencës, Nikolla Todorov dhe Robert Kirnag, ambasador i Republikës së Sllovakisë, i cili është vend-partner në manifestimin vjetor. Todorov dhe Kirnag do të nënshkruajnë edhe Program për bashkëpunim midis ministrive të Arsimit dhe Shkencës të të dy vendeve për periudhën midis viteve 2011-2015.

Ditët e arsimit dhe karrierës do të përfundojnë më 15 prill. Në sipërfaqe prej 2.000 metrash katrorë do të prezantohet oferta për studime dhe programet arsimore të pesë universiteteve shtetërore dhe të pothuajse të gjitha universiteteve private në Maqedoni, ndërsa do të marrin pjesë një numër i madh ekspozuesish të huaj nga Serbia, Greqia, Kanadaja, Austria dhe Hungaria.

Në kuadër të Ditëve…, do të mbahen edhe Ditët e karrierës, të 15-tat me radhë, të Organizatës ndërkombëtare studentore AIESEC, qëllimi i së cilës është të mundësojë interaksionin ndërmjet studentëve dhe biznes-sektorit. Në katin për prezantime do të organizohen edhe panele të universiteteve të cilët marrin pjesë në manifestimin e panairit.

Orari gjatë tre ditëve do të jetë prej orës 10 deri në orën 20.