Lajme Shqip Wednesday, 29 February 2012 18:06

Drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës janë të gatshëm që të ndihmojnë Komunën e Mitrovicës lidhur me projektin për ngritjen e shtatores së heroit kombëtar, Isa Boletini në Mitrovicë. Kjo u konfirmua gjatë një vizite në Shkodër të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i cili u prit nga homologu i tij, Lorenc Luka.

Kryetari Kastrati, i cili shoqërohej edhe nga nënkryetari Riza Haziri, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrustem Musa dhe drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, fillimisht ka shprehur kënaqësinë për realitetin e ri që ka mundësuar bashkëpunimin vëllazëror ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Në këtë kontekst, ka theksuar se duhet të shfrytëzohet kjo mundësi shumë më tepër për rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të mira.

Pasi ka folur për gjendjen në Mitrovicë dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e kësaj komune, ai ka shtruar nevojën për një koordinim të përbashkët sa i përket aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Është një përvjetor i madh dhe ne të gjithë duhet të festojmë së bashku”.

Kryetari Kastrati, ka cekur se ndër projektet që parashihen në Mitrovicë në kuadër të këtij përvjetori është edhe rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini si dhe ngritja e një shtatoreje në qytet. Tha se shtatorja e Isa Boletinit në Shkodër është një model i mirë që do të mund të shfrytëzohej.

Lidhur me projektin e ngritjes së shtatores së Isa Boletinit në Mitrovicë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ka shprehur gatishmërinë që të ndihmoj me të gjitha kapacitetet. Ai tha se janë të hapur që modeli i shtatores në Shkodër të përdoret edhe në Mitrovicë.

“Neve vetëm do të na nderoni nëse zgjedhni që të ngritni në Mitrovicë një shtatore të ngjashme sikur kjo e Isës në Shkodër”.

Ai ka shprehur besimin se nuk do të ketë kurrfarë pengese për realizimin e kësaj ideje as në Këshillin Bashkiak. Por theksoi se duhet ndjekur procedurat ligjore ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

 Në takim u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit në të ardhmen ndërmjet Komunës së Mitrovicës dhe Bashkisë së Shkodrës. U përmend fusha e kulturës, mandej sportit etj.