Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 10:26

Shkodër – Dega e shoqatës “Drini”, Shkodër-Gjakovë dhe dega e shoqatës Gjakovë-Shkodër, promovuan sot në një aktivitet studimin historik-kulturor “Çarshija e Madhe e Gjakovës”, me autor prof. Masar Rizvanollin.

“Studimi “Çarshija e Madhe e Gjakovës”, me autor profesorin me traditë mësimdhënëse e shkencore, Masar Rizvanolli, që promovojmë sot, ka të bëjë jo vetëm me shkencën e historisë, por edhe me zhvillimin ekonomik”, tha referuesja nga Kosova Drita Halimi-Statovski.

Sipas saj, libri për nga përmbajtja dhe forma që ka mund të trajtohet dhe si një album i karakterit monografik jo vetëm për Çarshinë e Gjakovës, por edhe për kulturën shqiptare.

Akademikja kosovare u shpreh se “ky punim studimor pasqyron një mënyrë të re të perceptimit të fenomenit “Çarshi”, përkatësisht “Çarshi e Madhe” dhe të vlerësimit të saj në prizmin dhe botën e sotme globaliste.

Për veprën “Çarshija e Madhe e Gjakovës” referoi studiuesi dhe historiani shkodran Rokin Daberdaku, pedagog i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, si dhe poeti i njohur kosovar Ali Podrimja, i cili për kënaqësi të të pranishmëve, interpretoi poezi të përgatitur enkas nga ai për Gjakovën.

Pjesëmarrësit vizituan  ekspozitën  fotografike “Dhuna e ushtruar nga forcat policore të regjimit të Millosheviçit ndaj qytetarëve të Komunës së Gjakovës nga viti 1989 e deri në fillimin e luftës në Kosovë në vitin 1998”, me bashkëautor Kujtim Petershani dhe Kujtim Shala.