Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 11:01

Shkodër – Kalaja “Rozafa” mirëpriti këtë radhë edicionin e 4-të të “Lojërave Popullore, Fest 2011”, organizuar me iniciativë të shoqatës “The Door”, e mbështetur nga Bashkia e Shkodrës dhe struktura të tjera vendore.

Koordinatori i “The Door”, Kastriot Faci, tha se “lojrat popullore të këtij edicioni kanë qenë më të bukurat e të gjitha edicioneve të organizuara deri më tani, pasi përveç një pjesëmarrjeje shumë më të madhe, bukurinë ua ka dhënë sidomos edhe mjedisi muzeal dhe piktoresk i kalasë “Rozafa”, ku u zhvillua për dy ditë aktiviteti”.

Krahas grupeve të bashkive dhe komunave të qarkut të Shkodrës, në këtë edicion ishin të pranishëm edhe grupe të ardhura nga Kosova, trevat shqiptare të Malit të Zi e Maqedonisë, nga diaspora, si dhe një grup nga Norvegjia, me të cilët “The Door” ka një bashkëpunim të hershëm.

Në programin e aktivitetit të edicionit të katërt ishin konkurrimet e lojrave popullore, sidomos atyre të vjetra, të cilat brezi i sotëm duket se i ka lënë pas dore, ekspozimi i kostumeve popullore të zonave përkatëse, shoqëruar me interpretimin e këngëve e valleve popullore.

Aktiviteti startoi në qëndër të qytetit të Shkodrës, ku u organizua edhe ceremonia e hapjes me përshëndetjen e organizatorëve si dhe të ftuarve nga diaspora, për të vijuar më pas me një kros, itenerari i të cilit ishte nga qëndra e qytetit deri në kalanë “Rozafa”, rreth 3 km e gjatë. Në këtë kros morën pjesë përfaqësues të të kategorive,  që nga moshat e vogla deri tek të moshuarit mbi 70-të vjeçarë. Për fituesit, organizatorët e aktivitetit shpërndanë diploma dhe kupa, si dhe stimuj material.