Lajme Shqip Monday, 14 November 2011 19:00

Shkodër – 10 skulptura të autoreve shqiptaro-malazezë, pjesë e një projekti të skulpturës të Simpoziomit Ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, janë vendosur në disa prej lulishteve të qytetit të Shkodrës, duke e bërë edhe më të këndshëm mjedisin që i rrethon ato.

Nënkryetari i bashkisë, Ritvan Troshani, i cili e ka ndjekur prej së afërmi projektin në fjalë, bën të ditur se, “punimi i këtyre skulpturave ka nisur në muajin gusht, përmes një promovimi që iu bë këtij aktiviteti në një prej shesheve pranë lumit Buna. Projekti i përbashkët i Bashkisë së Shkodrës dhe shoqatës artistike Art Dulcimium të Malit të Zi, i financuar nga Bashkia e Shkodrës dhe Bashkimi Europian, përfshinte artistët nga të dy anët e kufirit”.

Vënia në zbatim e tij është bërë në kuadër të programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Mali i Zi, duke përfshirë në të tetë skulptura nga autorë malazezë dhe dy nga qyteti i Shkodrës. Në dispozicion të secilit prej skulptorëve u vunë pjesë të ndryshme me materiale mermeri, duke i dhënë mundësinë atyre që të vënë në përdorin talentin e artistik në gdhendje. Pas një pune mbi dymujore, me daltë e çekiç dhe mjete të tjera ndihmëse, skulptorët nxorën në dritë punimet e tyre, të cilat në bazë të marrëveshjes paraprake ishin të destinuara për bashkinë e Shkodrës.

“Kjo ishte faza e parë e projektit, ndërkohë që në fazën e dytë projekti parashikon që artistët të të dy vendeve fqinje të bëjnë të njëjtën gjë në Malin e Zi, ku  punimet në skulpturë do t’i mbesin palës malazeze, për të bërë të njëjtën gjë si edhe bashkia e Shkodrës, duke i vendosur ato në hapësirat publike.