Lajme Shqip Friday, 04 November 2011 16:45

Shkodër – Me prezencën e shumë autoriteteve universitare shqiptare dhe italiane, konsullit italian në Shkodër, Roberto  Andreotti, përfaqësuesëve të Ministrisë së Jashtme Italiane etj,  në sallën e bibliotekës së Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u promovua libri “Qëndresa e Ushtarakëve Italian në Shqipëri, 1943-1945” i autorit Massimo Coltinari, i përkthyer në shqip nga  Guri Pashai.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Alma Hafizi, pedagoge e italianistikës, bëri një prezantim të shkurtër të librit, duke e cilësuar atë një libër të natyrës historike që vjen si rezultat i një pune të palodhur kërkimore të gjeneralit Massimo Coltinari, i cili ka mundur të mbledhë dokumente, fakte me përmbajtje të thellë njerëzore, të lidhura me zhvillimin e ngjarjeve ushtarake. Sipas saj, aty shohim jo vetëm dokumente, por edhe dëshmi të shumta të ushtarëve italianë, të cilëve iu shpëtua jeta, falë ndihmës së familjeve shqiptare.

“Të gjitha këto materiale janë nxjerrë nga burime arkivore e dokumente origjinale të shkruara prej protagonistëve që i jetuan ato ngjarje. Periudha e viteve 1943-1945 është një periudhë plot ngjarje të vështira edhe në aspektin ushtarak. Falë këtij libri këto ngjarje, të cilat do të rrezikonin që të mbeteshin të panjohura, i vinë lexuesit  të sotëm në Itali dhe në Shqipëri”, u shpreh Hafizi.

Vetë autori i librit, gjeneral Massimo Coltinari, i cili është edhe profesor i gjeografisë politike pranë universitetit “La Sapienza” të Romës, gjatë fjalës së tij vuri në dukje rëndësinë që ka ky punim voluminoz për studiuesit dhe për kërkimin shkencor në përgjithësi.

“Pas kapitullimit të Italisë fashiste, në Shqipëri mbetën rreth 40 mijë ushtarë. Këta ushtarë italianë u mbrojtën dhe u shpëtuan nga popullsia vendase. Unë jam sot këtu jo vetëm për të kujtuar këtë moment të rëndësishëm të historisë së popujve tanë, por edhe për të shprehur një falënderim për popullin shqiptar”, theksoi Massimo Coltinari.

Ndërkohë, përkthyesi i librit, Guri Pashai, vlerësoi faktet e reja që vinë përmes këtij libri, të cilat nuk u mësuan kurrë nga historiografia e regjimit komunist të kohës. Sipas tij, në këtë libër trajtohen operacionet gjermane sipas dokumenteve të Vermahtit. Në të ka dokumente të protagonistëve, të cilat u mblodhën në një arkiv dhe prej këtij arkivi na vjen sot ky libër që do t’i shërbejë mjaft studiuesve të historisë.