Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 09:45

Shkodër – Festa e Karnavaleve të Shkodrës, “100 vjet Pavarësi-100 orë Karnavale”, aktivitetet e së cilës startuan te shtunën, ku ishte e pranishme edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vijuar sot me ditën e dytë të saj. Njëri prej organizatorëve kryesorë të spektaklit të karnavaleve, Edmond Angoni, i cili është edhe administrator i punishtes së prodhimit të maskave me qëndër në Shkodër, e vetmja e këtij lloji në Shqipëri, tha se “karnavalet e këtij viti, të cilat që do të zgjasin për  katër ditë, janë planifikuar të zhvendosen në mjedise të ndryshme të qytetit të Shkodrës”.

Sipas tij, mospërqëndrimi i aktiviteteve vetëm në qëndër të qytetit duke u shpërndarë edhe në zona të tjera të qytetit, është një përpjekje për rikthimin e kësaj tradite të hershme që ka pasur komuniteti i Shkodrës, prej më shumë se 130 vitesh. Pas ditës së parë ku aktivitetet u zhvilluan rrugën pedonale “Kol Idromeno” të qytetit të Shkodrës, sot përmes një parakalimi nga sheshi qëndror i qytetit drejt hyrjes së qytetit, janë stacionuar në sheshin pranë Bexhistenit, një tjetër histori e traditës së mirëfilltë të këtij qyteti. Këtë radhë, karvanit të gjatë të karnavaleve i janë bashkuar edhe karrot alegorike, ndërkohë që krahas interpretimit artistik nga aktorët më në zë të qytetit, të pranishmit e shumtë kanë pasur rastin të shijojnë edhe gatimet karakteristike shkodrane pranë tendave të ngritura posaçërisht për këtë ditë.

Aktivitetet kushtuar festes së karnavaleve do të vijojnë edhe për dy ditët e tjera në vazhdim, ku dita e fundit, ajo e së martës së 21 shkurtit, do të shoqërohet me një Mbrëmje Gala me maska në mjediset e Teatrit “Migjeni”, gjatë së cilës do të shpërndahen edhe çmime të rezervuara nga organizatorët për grupet më të mira pjesëmarrëse të kësaj feste.