Lajme Shqip Wednesday, 22 February 2012 16:30

Shkodër – Mbrëmja Gala me maska e organizuar mbrëmjen e djeshme në Teatrin “Migjeni” në Shkodër ka shënuar mbylljen e aktiviteteve kushtuar festës së karnavaleve në qytetin e Shkodrës, aktivitet ky i organizuar nga Bashkia me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë.

Nën logon “100 vjet Pavarësi-100 orë Karnavale”, gjatë katër ditëve të aktiviteteve të organizuar në pika të ndryshme të qytetit, organizatorët kanë përcjellë tek komuniteti një program të larmishëm, në thelbin e të cilit ka qenë kryesisht integrimi i Shkodrës dhe i Shqipërisë në Europë. I përshëndetur që në hapjen zyrtare të aktivitetit edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila iu përfshi festës me bashkëqytetarët e saj, Karnavalet 2012 u shoqeruan me interpretimet e artistëve më në zë të qytetit, grupeve muzikore të Qëndrës Kultutore “Pjetër Gaci”, si dhe të grupeve të tjera nga shkollat e qytetit të Shkodrës.

Aktiviteti përmbyllës i organizuar në teatrin “Migjeni” ishte më spektakulari, pasi të pranishmit e shumtë, mes të cilëve edhe autoritetet vendore si dhe përfaqësues të trupit diplomatik që operon në rajonin verior, patën rastin që mbi dy orë të shijojnë një program të pasur artistik. Këtë mbrëmje e kanë bërë edhe më interesante çmimet e ndara për pikturën e karnavaleve më të bukur, fotografisë më të bukur, përformancës e grupit më të mirë, videos më të spikatur, si dhe çiftit më simpatik të Karnavaleve 2102.