Lajme Shqip Sunday, 14 August 2011 08:05

Shkodër – Zona pranë kalasë së lashtë “Rozafa”, aty ku shtrihen rrënojat e vjetra të qytetit të Shkodrës dhe që përmban elementë që dëshmojnë lashtësinë e qytetërimit shqiptar, do të përfshihet së shpejti nga punimet që do të kryhen nga një grup arkeologësh shqiptarë dhe të huaj.

E cilësuar pjesë e Parkut Arkeologjik të Shkodrës, në ditët e para të muajit shtator, do të mbërrijnë një grup arkeologësh të huaj, të cilët së bashku me ata shqiptarë do të kryejnë gërmime arkeologjike në zonën rreth kalasë.

Kreu i Parkut Arkeologjik të Shkodrës, Nikolin Shati bëri të ditur se për këto gërmime arkeologjike është nënshkruar një kontratë 5-vjeçare nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Parkut Arkeologjik Shkodër, Bashkisë Shkodër dhe Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, ndërsa do të financohen nga Ministria e Turizmit dhe Ambasada Polake në Tiranë.

Shati bëri të ditur se, gërmimet do të përqendrohen në qytetin antik që shtrihet në Juglindje dhe Jugperëndim të kështjellës së sotme, pasi sipas të dhënave të ofruara, aty pritet të dalë në dritë një pjesë e mirë e qytetit të vjetër të Shkodrës.

Ai e vlerësoi këtë nismë në shërbim të zhvillimit të qytetit dhe të ardhmes turistike, sidomos për territorin në fjalë, i cili është i pari që do të përfitojë nga kthimi i saj në identet, duke ndikuar në thithjen e një numri të madh turistësh.

Ndërsa arkeologu shkodran, Zamir Tafilica, thotë se kudo që të gërmosh në Shkodër mund të gjesh gjurmë të vjetra të historisë.

“Në gjithë këtë zonë, në të cilën rreth viteve ’80-të janë kryer disa gërmime arkeologjike, janë zbuluar gjurmë të hershme, si një trak muri të qytetit mesjetar të Shkodrës që nga shekulli 4 dhe 6 të periudhës së vonshme romake dhe mesjetës së hershme, etj.”, thotë Tafilica.

Sipas tij, kjo zonë merrë vlera shumë të mëdha historike, pasi në të janë zbuluar jo vetëm muri i fortifikimit, por edhe ndërtime urbanistike dhe shtëpi banimi e lokale, brenda dhe pranë murit të rrethimit të vjetër të qytetit të Shkodrës”.