Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 14:15

Prishtinë – Shfaqja e ndërtuar mbi motivet dhe fragmentet e tragjedive “Makbethi”, “Rikardi III” dhe “Hamleti” të Shakespeare-it dhe mbi disa nga motivet e kodit zakonor shqiptar “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, do të ngjitet në skenë për të garuar për çmimet e  festivalit boshnjak me nam. “Këmisha e gjakut”, krijim eksperimental i regjisorit Bekim Lumi, do të përfaqësojë teatrin shqiptar në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, i cili tashmë ka nisur rrugëtimin dhe do të “stacionohet” në Sarajevë deri në ditën e shtatë të tetorit. Në këtë festival shfaqja kosovare është pjesë e programit zyrtar “Mittel Europe” dhe do të shfaqet para publikut sarajevas më 4 tetor, në ambientet e një shtëpie tradicionale muzeore boshnjake, e njohur si “Svrzina kuća” (Shtëpia e Svërzës).

Në edicionin e 52-të të këtij festivali, veç Kosovës, me produksionet e tyre teatrore, marrin pjesë vende të shumta të botës, si Anglia, Austria, Brazili, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Ҫekia, Franca, Gjermania, Hungaria, Italia, Kili, Kroacia, Maqedonia, Polonia, Rusia, Serbia, Spanja, SHBA-ja, Shqipëria dhe Zvicra. Disa ditë para se të udhëtonte drejt Sarajevës, regjisori Bekim Lumi, nuk ka dashur të paragjykonte nëse “Këmisha e gjakut” do të kthehet me trofe.  “Festivali MESS ka karakter garues. Shfaqja ‘Këmisha e gjakut’ është pjesë e programit zyrtar të festivalit dhe, si e tillë, është pjesë e konkurrencës me mbi 30 shfaqje teatrore nga 21 vende të ndryshme të botës”, ka thënë Lumi. “Nuk mund ta paragjykoj nivelin artistik të shfaqjeve të tjera konkurruese e as kriteret, shijet apo preferencat e jurisë së festivalit. Në çfarëdo rasti, jam shumë i sigurt se, përmes shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’, Teatri Laborator ‘Loja’ do ta përfaqësojë Kosovën me dinjitet të lartë artistik”, ka shtuar ai.

Lumi po ashtu ka zbërthyer konceptin e shfaqjes me të cilën Kosova do të përfaqësohet në Bosnjë-Hercegovinë.

“Kjo shfaqje, përmes gërshetimit të motiveve shekspiriane dhe motiveve të kodit zakonor shqiptar, përmes lojës dhe kreacionit aktoresk, përmes asociacioneve, inicialeve, simboleve dhe metaforave të ndryshme skenike, duke tejkaluar qëllimshëm çdo lexim, interpretim dhe trajtim regjisorial konvencional të tragjedive të Shakespeare-it, në rrafshin artistik vjen në formën e një akti krijues eksperimental, gjatë të cilit publiku bën zbërthimin, transkriptimin dhe interpretimin e tri ‘përrallave’ të ndryshme, të cilat në këtë shfaqje, të ngjizura në “gjakun” e njëra tjetrës, vijnë si një ‘përrallë’ e vetme”, ka shpjeguar ai.

Shfaqja “Këmisha e gjakut” është realizuar nga teatri laborator “Loja” në Muzeun Etnologjik të Kosovës, në Prishtinë, si rezultat i një procesi kërkimor – kreativ eksperimental njëvjeçar (shtator 2009 – shtator 2010). Premiera e kësaj shfaqjeje, për të cilën bileta kishte kushtuar 100 (njëqind) euro, është mbajtur më 27 shtator të vitit 2010. Për dy vjet me radhë, prej vitit 2010 e këndej, shfaqja “Këmisha e gjakut” është luajtur gjatë disa sezoneve teatrore dhe, si e tillë, ajo është paraqitur më shumë se 50 (pesëdhjetë) herë para publikut vendor dhe atij ndërkombëtar në Kosovë. Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Melehate Qena, Adriana Matoshi, Afrim Muçaj, Astrit Geci, Bujar Ahmeti, Ermal Rexha e Kastriot Grajçevci. Pjesë e kësaj shfaqjeje, me vokalin e tyre, janë edhe solokëngëtarët Riad Ymeri (tenor) e Besa Llugiqi (soprano). Kostumografinë e shfaqjes e ka bërë Samka Ferri, skenografinë Mentor Berisha, ndërkaq mjeshtër ndriçimi është Skender Latifi.

Ndryshe, kjo shfaqje, përveç në kuadër të repertorit vendor, në formën e videoprojeksionit është paraqitur edhe në Teatrin Lalish në Vjenë (Austri) dhe në Shkollën Verore të Teatrologëve në Universitetin e Mainz-it (Gjermani). Pjesëmarrja e tanishme në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit MESS, në Sarajevë, është paraqitja e parë e teatrit laborator “Loja” dhe e shfaqjes “Këmisha e gjakut” në një festival teatror me karakter ndërkombëtar jashtë Kosovës. Pjesëmarrja e shfaqjes në këtë festival është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës. (LajmeShqip.com)