Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 13:32

Tiranë – Ndërkohë që në sallën e re “Shekspir” të Teatrit të Metropolit po shfaqet tragjedia “Romeo dhe Zhulieta”, me regji te Kiço Londos, me protagonistë Esela Pysqylin dhe Lulzim Zeqjan, po e njëjta histori dashurie do të interpretohet kësaj here në balet nga Enada dhe Gerd Vaso në TKOB.

Shfaqja e regjisorit Londo sjell për publikun një vepër klasike të konceptuar në mënyrë moderne, një Zhulieta që zbret nga ballkoni dhe një Romeo që ngjitet në të për t’i premtuar dashurinë e përjetshme të dashurës së tij.

Ndërsa baleti në TKOB, i koreografit bullgar Peter Lukanov, do të shfaqë mbrëmjen e 18 marsit veprën klasike të Shekspirit nën muzikën klasike të Sergei Prokofiev, interpretuar nga Enada dhe Gerd Vaso, që me anë të lëvizjeve do t’i përcjellin publikut pasionin e historisë 500 vjeçare të dashurisë.

Ky pasion dashurie, i njohur botërisht, do të shfaqet edhe ne skenën e Teatrit Kombëtar me regji të italianit Carlo Bruni, i cili pas disa audicioneve i ka besuar rolin e protagonistëve aktorëve të rinj Erjeta Cufaj dhe Andi Begolli.

Provat për këtë bashkëpunim italo-shqiptar kanë nisur që ditën e djeshme dhe në role të tjera interpretojnë aktorët Yllka Mujo, Florand Veizi, Kamber Nici, Olta Daku, Elia Zaharia, Monika Lubonja, Dritan Boriçi.

Aktualisht aktorët janë në provat e tavolinës për këtë vepër, që pritet të shfaqet në fillim të majit, ndërkohë që as/regjisori Elisa Mataj bëri të ditur për ATSH-në se do të luhet një version modern i shfaqjes, ku disa personazhe janë hequr e të tjerë janë shtuar.

Ndërkohë, që në TKOB rolet e protagonistëve koreografi Lukanov ia ka besuar Balerinëve të Parë të këtij teatri dhe me eksperiencë në fushën e baletit, çiftit Enada dhe Gerd Vasos.

Në shfaqjen që luhet çdo të enjte, të premte, të shtunë dhe të dielë në Teatrin e Metropolit interpretojnë edhe aktorët Adriana Tolka, Xhejni Fama, Dorian Ramanliu, Florian Agalliu, Ervin Bejleri, Besmir Bitraku, Eglantina Cenomeri, etj.

Ndërsa në rolet e tjera në baletin “Romeo dhe zhulieta” në TKOB interpretojnë edhe balerinët Odeta Dishnica, Ervis Nallbani, Sokol Zhugri, Endri Shkoza, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Rovena Shqevi, Ledia Sula, etj.

E njëjta histori tragjike dashurie mes Romeos dhe Zhulietës, por në koncepte të ndryshme, do t’i japë mundësinë publikut kryeqytetas të shikojnë tre versione të ndryshme të një pasioni që çon në vdekjen e dy të rinjve.

Tragjedia “Romeo e Zhulieta”, një nga veprat më të njohura të dramaturgut anglez të shekullit XVI, Ëilliam Shekspir, besohet të ketë dalë në dritë për herë të parë nga viti 1597, megjithëse data e sigurt nuk dihet. Subjekti i kësaj vepre është dukur në letërsi përpara lindjes së Shekspirit, po shkrimtari italian Luigi de Parto, më 1530, e lokalizoi ngjarjen për herë të parë në Veronë, me emrat e të dy të dashuruarve Romeo dhe Zhulieta.

Nga italishtja ngjarja u përkthye në frëngjisht dhe pastaj në anglisht në disa versione, tek të cilët është bazuar Shekspiri për sa i përket thelbit të saj.

Vepra fillon me grindjet dhe shamatën e shkaktuar nga një urrejtje e vjetër midis dy familjeve të parisë të Veronës, Montagëve dhe Kapuletëve, një urrejtje që përmbledh të gjithë pjesëtarët e familjeve, të cilët zihen e vriten rrugëve të Veronës.