Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 18:52

Sarandë – Ikona e artit skenik të Sarandës, regjisori Thoma Milaj, është ndarë nga jeta në një klinikë mjekësore të Greqisë, në moshën 77 vjeç.

Për 35 vite radhazi Thoma Milaj ishte regjisori që i dha emër, profil dhe profesionalizëm estradës profesioniste të Sarandës dhe e ktheu skenën e kinoteatrit “Butrinti” në shkollë të artit më komunikues me publikun.

Thoma Milaj u lind në qytetin e Gjirokastrës, ku mbaroi edhe shkollën e mesme. Studimet e larta për aktor i kreu në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, të cilat i përfundoi në vitin 1964, vit në të cilin u emërua në estradën e sapongritur profesioniste të Sarandës. Ai i dha kësaj trupe emër, famë dhe profesionalizëm, duke e bërë ndër më të mirat e më të ndjekurat në shkallë vendi.

Regjisori Thoma Milaj i dha estradës së Sarandës një profil të veçantë, duke vënë në skenë skeçin e muzikuar dhe komedi muzikore, tri prej të cilave “Flokë dëbore në prill”, “Alarm në postkomandë” dhe “Ra Sokrati në kanal”, u bënë nga më të famshmet nga qindra premierat e shfaqura me sukses nga trupa e estradës profesioniste të Sarandës.

Thoma Milaj ishte regjisor shumë i kërkuar edhe nga trupa të Tiranës, Fierit, Gjirokastrës etj, ku gjithashtu ka vënë në skenë shfaqje të këndshme.

Pas vitit 1990 Thoma Milaj jetonte familjarisht në ishullin e Korfuzit, por ai kthehej shpesh në dashurinë e tij të madhe, që ishte Saranda dhe arti e artistët e saj. Ai u nda nga jeta në moshën 77 vjeçare pas një ataku në zemër.

Thoma Milaj ishte “Qytetar Nderi” i Sarandës prej vitit 2005.