Lajme Shqip Saturday, 04 August 2012 17:40

Sarandë – Një grup peshkatarësh nxorën nga deti në Gjirin e Sarandës, një superspirancë, me përmasa gjigande, me gjatësi afro 6 metra dhe pa asnjë mungesë në detajet e veta.

Vetëm unaza që e rrethon spirancën në kreun e vet është një rreth me diametër rreth 1 metër. Peshkatarët kanë rënë në objektin e rrallë gjatë gjuetisë në Gjirin e Sarandës, kur kanë menduar se rrjeta e peshkatores së tyre ka rënë në një “gjah”, që mund të ishte edhe një anije.

Duke e tërhequr, me kujdes, kanë parë se trupi metalik ka qenë i mundshëm për të lëvizur dhe vetëm kur kanë mbledhur rrjetën kanë parë se “gjahu” i radhës ka qenë një megaspirancë. Pesha e saj mendohet se është diçka më shumë se 2.5 tonë.

Thoma Nika, zëdhënësi i bashkisë së Sarandës, tha sot se, “pushteti vendor synon që ti japë spirancës gjigande vlera dekorative, duke e vendosur në një prej parqeve, shesheve apo në një hapësirë tjetër publike të qytetit, si simbol të qytetit-port, por edhe për t’u dhënë mundësi turistëve e vizitorëve dhe tërë kureshtarëve e të pasionuarve pas antikuareve për të pozuar me megaspirancën”. (LajmeShqip.com)