Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 20:44

Sarandë – Në Butrint ka nisur viti i ri i gërmimeve arkeologjike. Shpresa Gjongecaj, drejtoreshë e Institutit të Arkeologjisë, tha për ATSH-në, se ky gërmim bëhet në bashkëpunim me universitetin e Noterdamit, në SHBA.

“Sivjet, forumi romak, një nga mrekullitë arkeologjike në Butrint, do t’i nënshtrohet një studimi më të detajuar. Ecuria vlerësohet e mbarë dhe rezultati pritet të jepet pas dy muajsh”, theksoi Gjongecaj.

Sipas saj, në agjendën e këtij institucioni janë planifikuar disa projekte, që shtrihen në të gjithë vendin.

“Pritet që ky vit të jetë produktiv në fushën e kërkimeve arkeologjike. Instituti Shqiptar i Arkeologjisë programon jo vetëm përballimin e gërmimeve, por edhe botime me rezultatet që dalin prej tyre”, shton Gjongecaj, ndërsa nënvizon se gërmimet e këtij viti do të shtrihen edhe në Foinike, rreth 5 km larg Sarandës.

“Pjesëmarrës do të jenë studentë nga universitetet shqiptare të Tiranës, Gjirokastrës, Elbasanit, Prishtinës e Tetovës, si dhe nga disa universitete të huaja”, specifikon Gjongecaj.