Lajme Shqip Thursday, 10 November 2011 10:15

Sarandë – Punimet për Portin e Kruazierëve kanë hyrë në një fazë të rëndësishme. Burime nga porti i Sarandës bëjnë të ditur se përmes një autovinçi të fuqishëm është bërë i mundur çmontimi përfundimtar i elektrovinçit 5-tonësh, që shërbente për përpunimin e anijeve me mallra dhe që pengonte zbritjen masive të turistëve në këtë port.

“Kulla e elektrovinçit është zbritur në tokë dhe pas kësaj është bërë transportimi i saj me anije për në portin e Limjonit, ku është investuar për t’u kryer përpunimi i mallrave, në vijim të portit të flotës së peshkimit detar”, tha drejtori i portit, Tafil Kola. Sipas tij, paralelisht është  kryer një volum i konsiderueshëm pune edhe në gërmime në territorin e portit që do të shërbejë vetëm për turistët.

Drejtuesit e zbatimit të projektit të portit të udhëtarëve bëjnë te ditur se brenda 20 ditësh që nga nisja e investimit, kanë përparuar dukshëm punimet për zgjerimin e sipërfaqes së kalatës ankoruese të trageteve. Sipas projektit, kalata ekzistuese do të zgjatet nga 40 në 180 metra dhe thellimi i detit do shkojë në 9 metra, nga 5 metra që është aktualisht.

Punimet për portin e Sarandës nisën në muajin gusht të këtij viti falë zbatimit të një projekti të qeverisë shqiptare me Bankën Botërore me vlerë 480 milionë lekë në zbatim të projektit “Menaxhim  i integruar dhe pastrim i zonës bregdetare”.