Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 11:00

Tiranë – Tre artistë të rinj kosovar çelën pasditen e djeshme në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën që rikrijon dramën e tyre të jetës dhe që është pjesë e luftës së tyre për drejtësi.

Fatosi, Jehona dhe Saranda Bogujevci janë tre nga pesë të mbijetuarit nga masakra që iu bë familjes së tyre nga njësiti rezervist i policisë serbe, në vitin 1999, dhe që sjellin me ekspozitën e tyre, “Bogujevci Histori pamore”, një përgjigje artistike kundër dhunës.

Kur ti je një fëmijë dhe ushtarët vijnë në shtëpinë tënde me armë, nuk mundesh as ta ndiesh frikën.Kjo fjali mbart të gjithë dhimbjen dhe forcën që përcjell ekspozita.

Në një prononcim Fatos Bogujevci u shpreh se, dëshirojmë që, me anë të kësaj ekspozite, publiku të kuptojë se çfarë vërtet ka ndodhur gjatë luftës së Kosovës, jo vetëm në familjen tonë.

“Pasi përfunduam një pjesë të rrugëtimit për drejtësi na u duk e rëndësishme që të tregonim ngjarjen tek të tjerët dhe ekspozita na u duk mënyra më e mirë për të treguar atë çfarë ka ndodhur”, tha Fatosi.

Rrugëtimi i jetës së tyre është i konceptuar në katër faza të njëpasnjëshme. Ekspozita është e konceptuar në katër dhoma të ndara, krejtësisht të bardha si për të treguar pafajësinë e atyre njerëzve që u pushkatuan padrejtësisht dhe të vetmet njolla të zeza në mure janë shprehjet e ngjitura të artistëve.

“Dhoma e ndenjes” është dhoma me mobiljet origjinale ku ndodhej e gjithë familja para se të pushkatoheshin. Dhe për ta bërë më të gjallë këtë ambient një televizor shfaq video familjare.

Pjesë e ekspozitës është dhe “dhoma e spitalit”, një dhomë origjinale e spitalit ku ata janë kuruar nga mjekët serb, pasi janë plagosur. Ende edhe sot ata nuk kanë shkelur më në spitalin e Prishtinës.

Ekspozita vazhdon me një instalacion të trungut familjar në të cilën prezantohet tmerri, masakra, humbja e të dashurve të tyre dhe mbijetesa e antarëve të tjerë. Fotografitë janë bardh e zi dhe me ngjyra, këto të fundit simbolizojnë ata që mbijetuan ndërsa ato bardh e zi ata që nuk jetojnë më.

Dhoma e katërt është “dhoma e gjykimit”, në katër ekrane shfaqen katër dokumentarë që përmbajnë xhirimet e dy gjykimeve, ndërkohë që pjesë e këtij instalacioni janë edhe prezantimi i shkrimeve për ta nga shtypi ndërkombëtar.

Unë do të përballem me vrasësit e familjes sime, kanë shkruar në mur. Pjesë e ekspozitës janë edhe një bluzë fëmije e gjakosur, një plumb, një orë që ka ndalur në orën e krimit, apo sende të tjera personale që janë marrë pasi janë gjetur trupat e të afërmve të tyre.

Fatosi, Jehona dhe Saranda janë të parët fëmijë në botë që kanë dëshmuar në gjykatë për krime luftë, në Beograd, kundër njërit prej të akuzuarve për vrasjen e që më pas u dënua me 20 vjet burg.

Sipas Sarandës, një nga qëllimet tona është të tentojmë të dokumentojmë implikimet dhe realitetin e humbjes  njerëzore.

“E gjithë kjo ekspozitë është një proçes për të kuptuar se çfarë na ka ndodhur. Kurrë nuk kemi për ta harruar 28 marsin e vitit 1999”, tha Saranda.

Tani ky është një fillim i ri për ne, mund ta fillojmë jetën nga e para. Me këtë frazë e mbyllin tre të rinjtë ekspozitën e tyre.

“Bogujevci Histori pamore” është çelur në tetor të vitit që shkoi në Galerinë e Kosovës, si një homazh për të gjithë familjet dhe viktimat e luftës. Ekspozita do të qëndrojë në GKA deri në 2 mars.