Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 18:00

Tiranë –  Numri i përdoruesve të drogës në vend ka ardhur në rritje, ndërsa përllogaritet që numri të variojë midis 40 000 dhe 60 000 përdorues të drogave ilegale. “Ashtu si në çdo vend të botës, përdorimi dhe abuzimi me substancat ilegale është një fakt i pamohueshëm dhe numri i përdoruesve të drogës është në rritje. Llogaritet që në vendin tonë janë rreth 40.000 – 60.000 përdorues të drogave ilegale, ku droga më e përdorur rezulton marijuana dhe më pas vijnë heroina, kokaina apo droga të tjera”, tha sot drejtori i Përgjithshëm i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.

Lëndët që përdoren janë kanabis, gjë që paraqitet problematike në shkollat e e mesme, heroina (tymosje, injektim, e përzierë, shkëmbim shiringash, më shumë injektim), kokaina (tymosje), si dhe po vihen re dhe kombinime (Diazepam, alkool, ketaminë,etj).

Ndërsa, substancat psikoaktive që përdoren më masivisht janë prodhimet e kanabis (rreth 65 %); përdoruesit e opiateve, kryesisht heroinë, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme); rreth 10% janë përdorues të kokainës. Vëzhgimet dhe konstatimet konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike, veçanërisht e stimulantëve të tipit të amfetaminës (ekstazi etj).

Grupet vulnerabël konsiderohen të rinjtë, nën 34 vjeç, kryesisht të papunë, 14 -17 vjeç, të cilët nuk shkojnë në shkollë, por dhe nxënës. Në grupët vulnerabël përfshihen dhe punëtoret e seksit (prostituta, travestitë, etj), romët, të rikthyerit e zhgënjyer nga emigracioni, personat që kanë tentuar disa herë abstinencën. Por, nga ana tjetër, studimet e ndryshme kanë treguar se të rinjtë janë ata që eksperimentojnë më shumë me drogat, edhe pse me një rritje të lehtë gjatë viteve.

– Shërbimet e parandalimit dhe trajtimit –

Ndërkohë, sipas Piperos, edhe pse të limituara në numër dhe shërbimi, programet e parandalimit dhe trajtimit të personave adiktiv janë prezentë ne vendin tone. “Në krahasim me vendet e tjera të botës apo të rajonit, përsa i përket infeksioneve fatale si HIV, apo Hep C është nën kontroll, por me një tendencë kohët e fundit të rritjes së rasteve me Hep C tek përdoruesit e drogave intravenoze, kjo për shkak të shkëmbimit të shiringave, apo mjeteve te tjera te injektimit”, tha Pipero.

Lidhur me shërbimet ndaj drogës, në vizionin dhe programin e qeverisë shqiptare është zgjerimi i shërbimeve ekzistuese dhe hapja e atyre të reja. “Ka një vullnet politik për këtë çështje dhe shumë shpejt ne do të hapim Qendrën Kombëtare të adiksionit dhe shumë shpejt do të ngremë shërbime të tilla në 12 prefekturat e vendit. Gjithashtu, jemi ne përpjekje për zgjerimin dhe hapjen e programeve te reja te trajtimit me agjent farmakologjik si metadoni, apo buprenorphina për përdoruesit e drogave, kryesisht ata te opiateve”. Por, sipas tij, situata kërkon jo vetëm vullnet politik, por mbi te gjitha një përgjigje dhe mbështetje te gjithanshme.

Zvogëlimi i dëmit për përdoruesit e drogave (terapia zëvendësuese me metadon) është një ndër mënyrat, nëpërmjet të cilave synohet parandalimi i përdorimit të drogave. Një rol të rëndësishëm këtu merr dhe trajtimi i sëmundjeve të ndryshme, që lidhen ose jo me përdorimin e drogës (në qendër ose ndjekje në spitale/ambulanca).