Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 10:30

Kukës – Pas reshjeve të mëdha të dëborës sot qytetarët e Kukësit, ndërsa  kanë dalë  të shëtisin në rrugën që të çon drejt ish-turizmit të vjetër, duke përfituar edhe nga moti i mirë, janë habitur kur kanë parë se mbi akujt që mbulojnë ende liqenin e Fierzës, kanë dalë në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit. Një gjë e tillë është treguesi i rënies së nivelit të liqenit të Fierzës, që tashmë është rikthyer në nivelin e rreth 282 metrave mbi nivelin e detit. Rënia e nivelit të ujërave tregon se reshjet e dëborës  ende nuk kanë ndikuar në nivelin e ujërave të këtij liqeni, ndërsa pritet ndikimi i tyre kur të nisë shkrirja e dëborës.

Ndërsa rrënojat e qytetit të vjetër janë tashmë në sipërfaqe, edhe ujrat e Drinit të  bardhë duken që nga qyteti, ndërsa zgjaten drejt liqenit të Fierzës, në vendin ku vetëm pak ditë më parë shtriheshin ujrat e ngrira të liqenit të Fierzës.

“Në fund të muajit shkurt është rasti i parë që rrënojat e qytetit të vjetër dalin në sipërfaqe”, thotë i moshuari Mërgim Elezi, që ka dalë të shikojë daljen e rrënojave të qytetit ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.

Janë me dhjetëra banorët që nga kodrat e qytetit të ri vëzhgojnë rënien e nivelit të ujërave  të liqenit të Fierzës, gjë që ka sjellë që sot në orët e mëngjesit të nisë zbulimi i rrënojave të qytetit të vjetër të Kukësit që nuk dukeshin prej 5 vjetësh në sipërfaqe.

Qyteti i vjetër i Kukësit ndodhet në nivelin 262 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa  e ashtuquajtura pikë e vdekjes e hidrocentralit të Fierzës ndodhet në 242 metra mbi nivelin e detit. Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij në nivelin 296 metra mbi nivelin e detit ka një volum  prej  2,7 miliardë metra kub ujë.